E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austri, 24 vjet në "shtëpinë e tmerreve"

Një austriak 73-vjeçar, inxhinier elektrik, ka pranuar se ka mbajtur vajzën e tij të mbyllur në qilar për 24 vjet dhe se është babai i shtatë fëmijëve të saj. Historia e tmerrshme, e zhvilluar në një godinë normale dykatëshe, në qytetin industrial të Amstetten-it, kujton atë të austriakes tjetër, Natasha Kampush, që kaloi tetë vjet e mbyllur në një bodrum dhe mundi të dilte që andej vetëm në 2006-ën. Elizabet Fritzl, 42 vjeç, i kishte rrëfyer policisë të dielën se babai i saj, Jozef Fritzl, e kishte mbyllur atë në qilarin e shtëpisë ku ata jetonin në 1984-ën, e kishte droguar dhe lidhur para se ta "burgoste" atje. Tre prej fëmijëve të saj, të moshës 19, 18 dhe 5 vjeç, qëndronin të mbyllur në qilar, që nga lindja, dhe nuk e kishin parë kurrë dritën e diellit, tha policia, duke ngritur kështu shqetësime për gjendjen e tyre fizike dhe mendore. Dy më të rinjtë janë djem, ndërsa më e madhja, është vajzë. "Fritzl ka pohuar tani se ai e kishte mbyllur vajzën e tij për 24 vjet dhe se vetë ai ishte babai i shtatë fëmijëve të saj", ka deklaruar Franz Polzer, shefi i njësisë së hetimeve kriminale në provincën e Austrisë së poshtme për agjencinë e lajmeve "Reuters". Fritzl ka pohuar gjithashtu, se kishte djegur trupin e njërit prej fëmijëve që kishte vdekur menjëherë pas lindjes. Mediat austriake raportojnë ndërkohë, se ai e kishte djegur trupin në një kazan. Tre prej fëmijëve, dy vajza dhe një djalë, ishin rritur ndërkohë, nga Jozefi dhe bashkëshortja e tij. Hetuesit ndërkohë kanë kryer kontrolle të imtësishme në qilarin ku janë mbajtur të mbyllura viktimat. Gjatë mëngjesit të djeshëm, ekspertët e kriminalistikës, në uniforma të bardha, nxorën një numër kutish me prova nga shtëpia, që gjendet në një rrugë të shumëfrekuentuar, të mbushur me dyqane. Fritzel kishte fshehur derën e qilarit pas disa rafteve dhe vetëm ai e dinte kodin sekret për të hapur derën e hekurt. Disa pjesë të qilarit nuk ishin më të larta se 1.70 metra dhe zyrtarët në Amstetten thonë se labirinti nën tokë përmbante një numër ndarjesh. Fotografitë e bëra tregonin një korridor të ngushtë dhe të errët që të çonte në dhomat e tjera ku gjendej një kuzhinë, një dhomë gjumi si edhe një banjë e vogël me dush. Një tub ndërkohë siguronte ajrin. Amstetten, është një qytezë që gjendet mbi një zonë kodrinore, rreth 130 kilometra në perëndim të Vjenës. Është një qytezë industriale e banuar nga rreth 22 mijë njerëz. Rasti u zbulua pasi vajza 19-vjeçare u sëmur rëndë dhe u dërgua në spital dhe mjekët kërkuan ndihmën e të ëmës për të dhënë më shumë detaje në lidhje me historinë e saj mjekësore. Fritzl atëherë kishte nxjerrë Elisabetën dhe dy fëmijët e tjerë nga qilari dhe i kishte thënë bashkëshortes, që mendonte se vajza e tyre ishte zhdukur pa lënë gjurmë, se ajo ishte kthyer. Elisabeta kishte rënë dakord të tregonte gjithçka vetëm pasi kishte marrë garanci nga policia se nuk do të kishte asnjë lloj kontakti me babanë, që siç kishte rrëfyer ajo, kishte abuzuar me të që në moshën 11-vjeçare. Ndërkohë, Natasha Kampush, që ka kaluar vitet e saj të adoleshencës në një situatë të ngjashme, u ofroi ndihmë viktimave dhe tha në radion ORF se do të donte të bisedonte me këtë familje. "Mund ta imagjinoj se është shumë e vështirë si për nënën e fëmijëve ashtu edhe për bashkëshorten e këtij krimineli ta kapërcejnë këtë situatë", tha ajo. Psikiatri Maks Fredrik, që ka trajtuar edhe vetë Natashën, thotë se fëmijët po u nënshtrohen testeve në spital, veçanërisht për problemet me sytë dhe lëkurën për shkak të mungesës së ekspozimit të tyre ndaj dritës së diellit. "Edhe shoqërisht, fëmijët nuk mund të kenë asnjë sens komuniteti që do të ishte fituar nëse ata do të kishin shkuar në shkollë apo aktivitete të tjera", tha Fredrik. Ky rast rrëqethës ka ngritur tashmë edhe shumë pikëpyetje në lidhje me rolin e autoriteteve dhe fqinjëve që nuk kanë mundur të pikasin asgjë të pazakontë në "shtëpinë e tmerreve". Në të vërtetë, sipas zyrtarëve, Fritzl kishte ndërtuar me kalimin e viteve shtesa përreth shtëpisë dhe qilarit sekret. "Komuniteti i Amstetten-it duhet të mbulohet nga turpi... Fqinjët kanë mbyllur sytë dhe nuk kanë parë çfarë ndodhte fare pranë tyre", shkruante në një editorial një gazetë austriake. E përditshmja "Der Standard", theksonte: "I tërë vendi duhet të pyesë veten çfarë po shkon me të vërtetë keq". Një tjetër e panjohur e madhe rrethon edhe bashkëshorten e Jozefit, Rozmarinë. Si ka mundësi që ajo të mos ketë qenë në dijeni të gjithçkaje që po ndodhte. Policia thotë se e beson variantin që Rozmari nuk ka ditur se çfarë i ka ndodhur vajzës kur ajo u zhduk në 1984-ën. Asaj i ishte thënë se Elisabeta ishte larguar me dëshirën e saj dhe për më tepër, u kishte dërguar një letër prindërve ku kërkonte që të mos e kërkonin atë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›