Një Navy Seal që u bë nga Chris në Kristin
Chris Beck ka kaluar 20 vite në operacione të fshehta pas vijës së armikut si pjesëtar ekipit elitar US Navy Seal. Por anëtari i trupave speciale, që ka marrë dekoratat më të larta, gjithmonë fshihte një sekret personal- që prej fëmijërisë së hershme ai ndjehej si një femër që kishte lindur në trupin e një mashkulli
Si pjesë e Navy Seal, bota e Chris Beck ishte e ashpër, macho, e dhunshme. Ai mori pjesë në operacione të fshehta që nga Oqeani Paqësor deri në Lindjen e Mesme.
Por në shkurt, më shumë se një vit pasi u tërhoq nga US Navy, ai zëvendësoi fotografinë e tij në rrjetin social LinkedIn me atë të një bruneje të gjatë, me një bluzë të bardhë, duke buzëqeshur përpara flamurit amerikan. Në profilin e tij shkroi: Tani nuk do fshihem më. E gjithë bota le ta mësojë identitetin tim si femër. Chris ishte bërë Kristin.
Ndërsa priste reagimet e njerëzve me të cilët kishte luftuar, Kristin e dinte mirë se nuk do kthehej mbrapsht në vendimin e saj.
Ekipi i US Navy Seals dërgohet në misionet më të vështira dhe më të rrezikshme në mbarë botën. Një nga njësitë e US Navy Seals kreu misionin e majit 2011, gjatë të cilit u vra Osama Bin Laden.
Kodi i Navy Seal kërkon që luftëtarët të ruajnë vlerat e besnikërisë, integritetit dhe besimit. Kristin druhej se kolegët e saj do e akuzonin për dhunim të kodit nëse do të dilte hapur si transgjender.
Ndërsa disa e kishin të vështirë të pranonin një gjë të tillë, reagimi ishte përgjithësisht pozitiv. Shumë prej tyre më thoshin Kris, vërtet nuk e kuptoj se çfarë po kalon, por e di se ku ke qenë.
Vëllezërit e ekipit tim më thoshin se ti ke rezistuar atje në fushëbetejë për 20 vite dhe ke bërë një punë të mirë. Nuk e kuptojmë mirë, por të mbështesim 100 përqind dhe shpresojnë se mund të mësojmë më shumë për këtë.
Duke e ditur se lajmi do përhapej shumë shpejt përtej njësisë ushtarake, Kristin vendosi që të shkruante një libër në bashkëpunim me një profesoreshë të psikiatrisë, të titulluar Princesha luftëtare.
Ajo thotë se për vite të tëra u përball me impaktin psikologjik të vdekjeve, dhimbjeve, birrave, motoçikletave, sërish birrave.
Por ndryshimi i gjinisë ka pasur një ndikim pozitiv tek ajo.
Nuk jam më aq e zemëruar dhe fle më mirë për shkak se jam e lumtur.
Ka shumë njerëz që më thonë: Kris, kjo është hera e parë në jetë që të shohim duke buzëqeshur.
Askush nga ne nuk është prefekt. Nuk jam Konan Barbari dhe as Barbi. Të gjithë jemi të ndryshëm.
Mendoj se dalja ime publike ka shpëtuar disa jetë. Kam marrë e-maile prekëse nga njerëz që kanë vuajtur në dhimbje dhe paragjykim.
Por më kanë shkruar edhe meshkuj hetero, që më thonë faleminderit për atë që ke bërë për vendin tonë. Nuk e kam kuptuar kurrë këtë, por e kuptoj tani.
Frika nga e panjohura është problemi më i madh dhe unë mendoj se duke lexuar librin tim, do të thyeni frikën. Nuk do lëndoj askënd dhe nuk jam ngjitës. Jam thjesht vetvetja.
*Marrë me shkurtime nga BBC