E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Një Shqipëri”, Shllaku: Shqiptarët meritojnë shtetësinë kosovare. Spahiu: Kosova, shtet më vete

Emisioni “Një Shqipëri” në RTSH 1, të premten, në vigjilje të Pashkës, u bë hapësira kushtuar bashkëjetesës sonë fetare, sikundër edhe një tryezë e rrumbullakët me studiues, përkthyes e poetë.

Pas vargjeve të penës mjeshtërore të Mitrush Kutelit, “Jam shqiptar e kosovar…”, interpretuar nga mjeshtri i skenës, i paharruari Mirush Kabashi, moderatori Mentor Nazarko iu drejtua studiuesit dhe përkthyesit Primo Shllaku për perceptimin e tij mbi poemën.

“Flet për një lidhje organike, diagonale dhe transversale të shqiptarëve,” u përgjigj z. Shllaku.

Sipas tij, bashkimi duhet të nisë nga poshtë, jo përmes një revolucioni, por në mënyrën një nga një.

“Mendoj se një shqiptar i Shqipërisë e meriton automatikisht nënshtetësinë ose shtetësinë kosovare dhe anasjelltas,” tha ai.

I ftuar ishte edhe profesor Nexhmedin Spahiu nga Prishtina, i cili ndau qëndrimet dhe idetë e veta mbi të ardhmen e komunitetit politik kosovar e për pasojë, e ardhmja e këtyre dy pjesëve të kombit shqiptar.

“Populli është krijesë politike dhe përderisa ka një shtet të Kosovës, ka dhe një pronar të saj. Për shkak të shqiptarëve të Kosovës është krijuar shteti i Kosovës dhe jo për shkak të komuniteteve të tjera etnike. Nuk mendoj se çdo shqiptar i Shqipërisë duhet të ketë shtetësinë e Kosovës dhe çdo shqiptar i Kosovës, të ketë nënshtetësinë e Shqipërisë,” deklaroi z. Spahiu.

Bashkëprezantuesja e emisionit, Oneda Skënderi, e pyeti studiuesin se “pse në Kosovë e marrin nusen me flamur kuqezi”?

“Është çështje emocioni, ngaqë për një kohë të gjatë në Kosovë, shqiptarët kanë bërë jetën e minoritetit. Kanë zhvilluar nostalgji ndaj shtetit shqiptar, ndaj Shqipërisë, sidomos Shqipërisë së vitit 1941–1944. Tani kjo krijon nostalgji për atë periudhë dhe nuk e kanë të lehtë që të kuptojnë se, kanë shtetin e tyre dhe një flamur tjetër nga ai kuqezi,” u përgjigj profesor Spahiu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›