E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëvendosjes i mungojnë votat për kreun e Kuvendit, betohen deputetët e legjislaturës IX

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të shtunën për të dytën herë të konfirmojë kandidaten për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, duke e shtyrë për të hënën mbledhjen e radhës.

Seanca e fundjavës nxori në pah pamundësinë e mazhorancës së kryesuar nga Albin Kurti për të siguruar 61 votat e nevojshme për kreun e Kuvendit dhe për rikompozimin e saj.

Znj. Haxhiu, e propozuar nga nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, siguroi votat e vetëm 57 nga 119 deputetëve pro emërimit të saj.

“Ju kisha lutur edhe si kolegë, shumë prej juve me shumë mandate në Kuvendin e Kosovës, ta mbështetni këtë propozim, sepse vetëm kështu nuk bëhemi pjesë e bllokimit të themelimit të institucioneve dhe të Kuvendit të Kosovës,” deklaroi z. Konjufca gjatë ripropozimit.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se bllokimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që nga 15 prilli është për shkak se Vetëvendosja nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë.

“Ishin 52. Qenkan bërë 57. Nuk besoj që do të bëhen 61,” tha z. Krasniqi.

Për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri dhe për formimin e qeverisë duhen 61 vota.

Kreu i demokratëve tha se PDK-ja e votoi raportin e mandatit të deputetëve pasi procesverbali përfshinte deklarata se kabineti qeveritar e ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë Hykmete Bajrami, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se partia e saj do të bëjë kallëzim penal ndaj anëtarëve të qeverisë që u betuan si deputetë, për shkak të “ushtrimit të funksioneve ekzekutive”.

Betohen 119 deputetët e legjislaturës së nëntë

Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës janë betuar me ceremoninë e betimit pas votimit të raportit të mandateve.

Raporti për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës kaloi me 119 vota pro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›