Një anëtar i thjeshtë u ngrit e foli
Nga Pëllumb Kulla
Po bashkohem edhe unë në shoshitjen e një fjalimi që lexoi ish kryetari i PD-së Sali Berisha në kufirin midis lënies së kreut të partisë dhe fillimit të jetës së tij të mëtejshme si anëtar i thjeshtë i asaj partie.
Nga i gjithë fjalimi i shumëpritur, sado që shosha u shkund e u shkund, vrimat e saja të imta lëshuan vetëm një vlerë të pashfaqur ndonjëherë më parë: Ai pranoi formalisht rezultatin e votës së sovranit!
Asgjë tjetër. Por ama kjo ishte shumë e rëndësishme. Të tjerat çka mbetën në shoshë dhe që nuk u sitën nëpër vrimat e saj përbënin një material të plotë për një raport të shkëlqyer kongresesh, me arritje dhe fitore, me triumfe historike dhe kapërcime të madhërishme. E ish kryetari, kur qe kryetar, nuk pat bërë asnjë përkujtesë më të fryrë e më të ndritëshme të kontributeve të tij. Mjerisht në PD akoma nuk u gjend njeriu që nga pas ta tërhiqte nga cepi i xhaketës e ti thoshte në vesh: Mjaft! Ke dy muaj që po i thua këto. U bënë votimet!
Ama njohja e disfatës ishte në nder të atij njeriu. Të gjithë i trembeshin se kjo njohje nuk do ndodhte. E kishin këtë frikë në Uashington, në Suedi, Bruksel dhe Peshkopi.
Gjithëçka tjetër të linte një përshtypje të keqe ngaqë ish një fjalim, i përgatitur gjatë, i lexuar ecengec dhe me nxitim. Si një fillorist nga ata më të fundmit e klasës, që nuk i shkëput kurrë sytë nga letra! Ishte një monolog tipik hipokrit si mijëra e mijëra të tjerë. Fushatën që i solli fundin e quajti fushatën më të bukur të jetës së tij! A mund ti besohet? Se po u besua kjo atëhere unë për vete nuk do të habitesha psh po të dëgjoja një tjetër të thosh: atë ditë që mu dogj shtëpia, u mundova ta shuaj zjarrin po nuk ia dola dot. Sidoqoftë ka qenë një nga zjarret më të bukur që kam parë gjatë jetës sime!
Këtij lloj anëtari të thjeshtë a duhet ti besosh kur thotë dua të falënderoj .çdo shqiptar që mori pjesë në këto zgjedhje, duke nderuar me votën e tij sistemin tonë pluralist? Unë, si njeri sedërli, po të isha në vend të tij as do të desha tia shoh sytë pluralizmit! Saliu mbase është bërë më zemërgjerë tani që është thjesht anëtar, se para dy-tri ditësh, kur qe kryetar… Pa-pa-pa! E megjithatë ai prapëseprapë, rreshtoi aq shumë fitore dhe suksese, arritur me të në krye, sa çdo njeri tjetër, në vend ti falenderonte, do të kish dëshirë që shqiptarëve të pluralizmit tu thosh: Ju plaçin sytë!. Mund të gjendet një më i mirë se unë?!
Dhe të mendosh sa emocione prodhoi ai lexim çalaman. Mëkatë që autori nuk ia hodhi një herë vështrimin turmës së përlotur, ngaqë nuk i ngriti asnjëherë sytë nga letra. Po ama ahet dhe ohet i shijoi. I shijoi kur vajtojcat ia kundërshtuan leximin e përcaktimit përgjegjësia bie vetëm mbi mua! U lumturua e u ngashërye kur turma e plagosur uluriu njëzëri nga dhimbja e thellë, tek fraza madhore jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike, do të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj!
A mund të përfytyrohet ky njeri, tashmë anëtar i thjeshtë i partisë së ngritur nga ai vetë? Kurrë! Unë nuk arrij dot ta përfytyroj të ulur në fund të sallës. E përfytyroj, por ama me tërë të pranishmit në sallë që sapo e shohin të ulet, do të kthejnë karriget ballë njeriut në rreshtin e fundit dhe do ti vërtitin kurrizët presidiumit. A mund të përfytyrohet çasti, kur ai merr fjalën, se si presidiumi dhe të pranishmit do të nxitojnë të hapin blloqet dhe të marrin shënim gjithëçka nxjerr nga goja ky anëtari i thjeshtë, me frikën se mos u shpëton ndonjë fjalë e tij? Po a gjendet në botë ndonjë anëtar i thjeshtë të vijë në një mbledhje lokale të partisë, i shoqëruar nga dhjetra badigardë me kufje dhe spiralet e telave, që u zbresin nga veshët? A thua të jetë parë mbi kët planet një anëtar partie i veshur me antiplumb? Se antiplumbi i famshëm, që u përgojua aq shumë do vazhdojë të hyjë në punë ende, se ai nuk vishej për të na mbrojtur nga plumbi kryeministrin tonë, por individin mëkatar prej Tropoje, me emrin Sali Berisha, tani as kryetar partie, as qeverie, por po aq mëkatar! Dhe nëse do shtyhemi më tej në përfytyrim e të shpluhurosim statutin e partisë, atë radhua të pahapur prej dhjetra vitesh, a nuk është shënuar aty që sejcili anëtar i partisë ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet? Përse do ti u mohoka ky nen këtij anëtarit tonë?!
Opa! Ja, këto janë fillimet e feniksit që ngrihet nga hiri! Ky ishte thelbi i fjalimit të menduar ngadalë dhe të lexuar me ngut. Ky është infeksioni i thellë i një partie dhe i tërë shoqërisë shqiptare. Ky operacion në PD të kujton atë situatën kirurgjikale kur i sëmuri kanceroz hapet dhe, pa përdorur bisturinë, qepet e mbyllet përsëri. Si çdo histori me kancer! Kjo është PD-ja e pas 23 qershorit!
Se ky anëtari i thjeshtë ka të drejta pra: e do të zgjidhet në Këshillin e Përgjithshëm të partisë, pastaj do të shihen aftësitë e tij, e rrjedhimisht do të zgjidhet edhe në kryesi dhe mbase-mbase, – gjithnjë me vota të fshehta e të lira!- mund të zgjidhet kryetar i saj! Ja çbën në atë parti vota e lirë, që nuk u përdor kurrë! Tani do kemi një Berishë krejt të ri! Jo si atë të dikurshmin e nëntëdhjeteshtatës, që tha ne gabuam!, por nuk i emërtoi gabimet. Kështu që me atë pranim gabimi ua bëri qejfin të gjithëve: të rënuarit nga piramidat nënkuptuan se ai pranoi fajin që u solli Gjallicat e Vefat dhe u zhvati gjithë çkishin; ushtarakët menduan se pranoi gabimin që lejoi shkatërrimin historik të forcave të armatosura; ish të përndjekurit menduan se me fjalën gabim ai pranoi se i pat shfrytëzuar poshtërsisht ata. Dhe në këtë fjalim të këtyre ditëve ai la të nënkuptohet gabimi, por pa hyrë në detaje. Nuk tha që në Shqipëri ai riktheu frikën nga pushteti. Nuk tha që ai vulosi përfundimisht mashtrimin e pronarëve. Detajet nuk ia thotë dot goja atij! Kështu të gjithë ia kuptuan drejt që ai e ka fjalën për gabimin e shqiptarëve mosmirënjohës që votuan Opozitën e tij të urryer!
Pra, me statut, ai mund të rivijë në krye një ditë. Kurse në këto ditë plot emocione të madhërishme, anëtar ynë i thjeshtë kërkon të shijojë kënaqësitë e dorëheqjeve të paprovuara. Këtë javë ai mund të dorëhiqet edhe nga parlamenti i ri. Dhe e përfytyroni se kush nga lista fituesve demokratë në Tiranë, vjen menjëherë në vend të tij? Një simbolikë e mrekullueshme: vjen Asllan Dogjani, deri pardje deputet i grupit socialist! Pastaj, ky i dorëhequri nga kreu i lidershipit premtoi se do të qëndrojë në timon për zgjedhjen e lidershipit të ri Kur është vetë në timon, dihet se si do ta bëjë! Partia mes anëtarëve të s
