E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mjaftohemi me një urim për Shqipërinë

Adriatik Kelmendi  

Profecia u përmbush, në  përmasat më të papritshme të mundshme. Po, që  Partia Socialiste fitoi më  shumë vota se Partia Demokratike. Po, që e majta mundi të  djathtën. Por, PO e madhe që  LSI-ja u katërfishua dhe sërish  pa të s'mund të jetë fitues i plotë  as Rama e as Berisha. Ndoshta  s'duhet kërkuar fare racionalja  në këtë rast dhe duhet parë  thjesht si një nga ato çastet e  pashpjegueshme në fatet e shqiptarëve përgjatë gjithë ekzistimit të shtetit shqiptar.  

Besoj se nuk na takon neve, shqiptarëve kosovarë, të gjykojmë  se kush është dashur të fitojë ose  kush të humbë në Shqipëri. Në  Kosovë duhet një herë e mirë ta  kuptojnë se çka ka ndodhur në  dy vendet tona përgjatë këtyre  dy dhjetëvjeçarëve në mënyrë  që edhe të kuptohemi e edhe  të duhemi më tepër. 

Ka kaluar  koha kur Shqipërinë, për arsye  të kuptueshme, e kemi parë si  mëmëdhe, ose atdhe. Në 2013-s Shqipëria nuk është as nëna as  babai i Kosovës, por më tepër një  shtet i pavarur vëlla. E vëllezërit  s'ka nevojë të kenë ndërmjet vete  marrëdhënie prindërore, por të  mundohen ta ndihmojnë sa di-në e munden njëri-tjetrin që të  ecin të fortë përpara. 

Votuesit  në Shqipëri kanë dhënë verdiktin më 23 qershor për ata që  duhet të udhëheqin vendin. Shqiptarët kosovarë s'kanë as pse  t'i përgëzojnë, as t'i ngushëllojnë. Edi Ramës e Ilir Metës u  duhet uruar një: Punë të mbarë!  Se Shqipëria ka shumë, tepër  punë për të bërë, për t'u afruar  me shtetet e zhvilluara në skajin  tonë të globit. 

E një Shqipëri e  zhvilluar, nënkupton edhe ndihmesë në zhvillim të Kosovës,  hap edhe shumë horizonte të  tjera të ndritshme përpara. Rezultatet tregojnë se LSI ka 17  deputetë dhe se pa këtë parti as  e majta as e djathta nuk sigurojnë shumicën. 

Edhe pse Meta e ka  thënë se i takon Ramës që të jetë  kryeministër dhe se me të do të  formojë koalicion qeveritar, PS-ja  duhet të sillet me shumë elegancë  e kujdes me LSI-në. Kështu që,  ndonëse me partinë e tretë më të  madhe, Ilir Meta është sot njeriu  më i fuqishëm i Shqipërisë. 

Marrë me shkurtime nga koha.net 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›