Një avokat merr përsipër Dritan Dajtin: Gjykata të më paguajë 200 mijë Euro
Tiranë- Më në fund del një avokat që të marrë përsipër mbrojtjen e Dritan Dajtit, Ndue Pjetra. Por ai i kërkoi gjykatës që për të bërë mbrojtjen, gjykata duhet ta paguajë jo me tarifat e zakonshme, por me një shumë prej 200 mije euro si dhe kërkon një muaj kohë që të njohë dosjen.
Kur ka shkuar në rreth 75 numri i avokatëve që refuzojnë dhe kur lista e avokatëve kryesisht po shkon drejt fundit, një avokat sfidon Dajtin, por duket se pak gjasa ka të pranohet nga gjykata, pasi një shumë të tille gjykata nuk ka nga e siguron.
Ndërkohë togat e zeza të Krimeve të Rënda janë tërhequr për të marrë vendimin nëse do ti pranojnë kushtet e avokat Pjetrës, por duke theksuar se pagesa e avokatit do të bëhet sipas dispozitave në fuqi.
Ndërkohë vetë i pandehuri Dajti i ka kërkuar gjykatës t’i pranojë kërkesat e Pjetrës, pasi siç tha ai i pëlqen performanca e tij.
Bga ana tjetër prokurori Nezha ka deklaruar se Pjetra po bëhet palë me Dajtin për zvarritjen e procesit gjyq7sor ndaj tij.
Precedenti Dajti
Dajti, i cili ka studiuar për drejtësi, duket se ka themeluar precedentin e parë në drejtësinë shqiptare. Ligji parashikon se i pandehuri nuk mund të gjykohet pa avokat, e në këto kushte, Dritan Dajti nuk pranon të marrë avokat. Ligji thotë se gjykata mund të caktojë një avokat kryesisht, sipas një liste që ka në dispozicion nga vetë dhoma e avokatisë. Por paçka gjykata i ka caktuar, por «çuditërisht» avokatët tërhiqen të gjithë, një e nga një, nga çështja.
Përmes kësaj praktike, Dajti ia ka dalë të bllokojë zhvillimin e procesit për katër vjet me radhë dhe kur kanë dështuar në mënyrë të njëjtë mbi 207 seanca të njoftuara. Në këto kushte, kur drejtësia është vënë përballë një dështimi të paprecedent, përballë pamundësisë për të bërë një gjyq, gjykata i është drejtuar disa herë publikisht KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë duke fajësuar avokatët për këtë dështim. Teksa vetë këta të fundit propozuan edhe rastin e Italisë, kur një i pandehur u gjykua pa praninë e një avokati.
Dajti akuzohet se më 9 gusht të 2009-ës ka vrarë katër policë në zonën e plazhit në Durrës.