Një çati për aspiratat e Ballkanit, KBR informon për strategjinë e Europës Juglindore 2030

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR), Amer Kapetanoviç, zhvilloi një takim informues me ambasadorët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të akredituar pranë Bashkimit Evropian, në Zyrën Ndërlidhëse të KBR-së në Bruksel.
I organizuar nga KBR-ja, ky takim informues ofroi një përmbledhje gjithëpërfshirëse të përpjekjeve aktuale për bashkëpunim rajonal dhe prioriteteve të ardhshme, me një fokus të fortë në zbatimin e Strategjisë Evropa Juglindore 2030 (SEE2030), një angazhim i përbashkët i të 13 pjesëmarrësve të SEECP-së për zhvillim të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të zgjuar në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.
“Strategjia jonë SEE2030 është më shumë se një dokument, ajo është një çati që strehon aspiratat tona të përbashkëta rajonale. Ajo bashkon 13 pjesëmarrës të SEECP/PBEJ-së, rreth 45 objektiva konkrete zhvillimore, të bazuara në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së,” tha Kapetanoviç. “Në një kohë kur krizat po bëhen norma, EJL2030 na kujton se e ardhmja jonë varet nga bashkëpunimi, përgjegjësia e përbashkët dhe qëndrueshmëria strategjike.”
Në diskutim u përfshinë gjithashtu iniciativat kyçe të udhëhequra nga KBR-ja, përfshirë: nisjen e CRM 2.0 si një rrugë drejt integrimit në Tregun e Vetëm të BE-së; zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe lëvizshmëria e njerëzve; transformimi digjital dhe lidhshmëria rajonale; siguria njerëzore përmes krijimit të Rrjetit Rajonal të Sigurimit nga Rreziqet e Fatkeqësive; dhe forcimi i qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike përmes zbatimit të Udhërrëfyesit për Përshtatje Klimatike për Ballkanin Perëndimor.
Sekretari Kapetanoviç i informoi ambasadorët edhe për përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar këtë vjeshtë, ku rajoni do të prezantojë një paketë me rezultate të bazuara në reforma dhe solidaritet rajonal.
/rtsh.al/