E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Një ditë me Endri Shabanin, partia e re që pretendon këshillat bashkiakë

Kreu i Nismës “Thurje” Endri Shabani duke folur për zgjedhjet e 14 majit në të cilat kandidon për kreun e këshillit bashkiak në kryeqytet ka treguar elementët që kërkon të ndryshojë forca e tij politike në Tiranë.

RTSH e ndoqi gjatë një dite të fushatës elektorale që kjo parti  bëri në Tiranë, ku Shabani tregon edhe projektin që “Nisma Thurje” ka për transportin urban dhe zgjidhjen e trafikut në kryeqytet.

“Nëse qytetarët duan t’i japin fund trafikut në kryeqytet duhet të votojnë për “Nismën Thurje”. E dyta, transporti urban sot është ineficent.

Ne harxhojmë kohë pa fund duke pritur për të marrë abonenë apo duke pritur në stacion apo duke pritur për të lëvizur nga pika A në pikën B.

E gjitha kjo është lehtësisht e zgjidhshme duke anuluar koncesionet që sot pasurojnë 11 vetë por janë në kurriz të të gjithë qytetit. Për këtë ne duam të na votojnë”, shprehet ai.

Një pikë tjetër për të cilat Shabani premton ndryshime rrënjësore është edhe taksimi. Sipas tij, “Nisma Thurje” do të propozojë ndryshimin e skemës së taksimit ku barrën fiskale t’ua kalojë oligarkëve siç thekson ai, në mënyrë që të çlirohet shtresa e mesme.  

“Ne duam të ndryshojmë skemën e taksimit në Tiranë. Ajo që ndodh sot është një oligark që ndërton kulla paguan zero taksa ndërsa një njeri që ndërton për vete apo për familjen e vet paguan 8 për qind taksë infrastrukture dhe taksë strehimi. Ne do t’i përmbysim këto taksa.

Pra, barrën fiskale do t’ua lëmë oligarkëve që kanë para boll, dhe do ia ulim shtresës së mesme”, thekson Shabani.

Gjithashtu, kreu i “Nismës Thurje” premton përmirësimin e modelit të demokracisë vendore që sipas tij duhet të nisë që nga shkallët e pallatit për të vijuar në nivel vendor.  

“E treta ne duam të zgjidhim problemin e demokracisë vendore. Ne flasim për transparencë buxheti por ne nuk dimë se si menaxhohen lekët e shkallës.

Ne kemi ndërtuar një platformë që do ta fillojë demokracinë te pallati ynë se si menaxhohen dhe administrohen paratë që ne kontribuojmë, por edhe të jemi pjesë e vendimmarrjes.

Do ta nisim te pallati për ta çuar në nivel vendor dhe nisma vendore të cilat na jap informacion se si menaxhohen paratë tona dhe na japin peshë për të ndryshuar qytetin ku jetojmë.

Ne duam t’u themi qytetarëve që Shqipëria bëhet, Shqipëria i ka të gjitha kushtet për t’u organizuar bashkë dhe për të ndryshuar Shqipërinë”, shpjegoi ai për gazetaren Sonila Agostini.

I pyetur se kush e garanton se votat do të numërohen ashtu siç do t’i hedhin qytetarët më 14 maj, Shabani nënvizoi se “Nisma Thurje” do të veprojë ashtu siç ka bërë në zgjedhjet e kaluara.

“Asnjë frikë nuk kemi në këtë pikë. Çdo fletë votimi skanohet  dhe regjistrohet. Ne kemi numërues në çdo KZAZ. Dhe në zgjedhjet e kaluara i kemi monitoruar dhe mbrojtur votat tona deri në minutën e fundit.

Po ashtu do të bëjmë edhe kësaj radhe. Aty ku kemi pasur probleme i kemi çuar në SPAK dhe ata janë ndëshkuar. Siç e thashë sfidën nuk e kemi me këta. Këta janë e shkuara.

Sfidën e kemi që t’u japim shqiptarëve një të ardhme sepse nuk po e shohin të ardhmen e tyre këtu”, përfundon Shabani.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›