E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dramë pa mbarim

Greva e minatorëve vijon me shumë pikëpyetje për rolin e sindikatave dhe kompanisë ACR. I vetmi që bën sehir është shteti dhe institucionet e tij

Greva e urisë së 13 minatorëve të Bulqizës po hyn në ditën e 16-të dhe në rast se nuk gjendet një zgjidhje, fati i tyre mund të jetë tragjik.

Gjendja shëndetësore tashmë është në ekstremet e durimit dhe pasojat mund të jenë fatale për ta.

Si për të mos mjaftuar kjo, miniera në të cilën ata janë duke zhvilluar grevën e tyre, rrezikon të shembet dhe ti zërë brenda.

Por, çfarë po ndodh në të vërtetë me grevën e urisë së 13 minatorëve të Bulqizës, të cilët janë të vendosur që mos të tërhiqen?

Fillimisht ata hynë në grevë me kërkesën për rritjen e rrogës me 20% dhe përmirësimin e kushteve të punës, si dhe disa kërkesave të tjera dytësore.

Pas disa ditësh greve, kompania koncensionare e minierës së Bulqizës, ACR, bëri të ditur në media se do të pranojë kërkesën e minatorëve për rritjen e pagës me 20%.

Por, në mënyrë të çuditshme, vetëm pak minuta nga premtimi i kompanisë austriake, kreu i sindikatës së Minatorëve, Kolë Nikolla, deklaroi se minatorët kërkojnë që rroga e tyre të rritet me 40%.

Që nga ajo kohë, mes përfaqësuesve të ACR-së dhe Kolë Nikollajt ka pasur akuza dhe kundër akuza dhe komunikimi i tyre bëhet vetëm nëpërmjet mediave.

Ditën e djeshme pritej që të bëhej një takim vendimtar mes përfaqësuesve të ACR-së dhe të minatorëve, pa praninë e Kolë Nikollajt. Përfaqësuesit e ACR-së, në mënyrë të pashpjegueshme nuk kanë shkuar në takim, dhe motiv ka qenë ambienti ku do të zhvillohej takimi.

Ndërsa minatorët që kanë hyrë në grevë po perëndojnë, ACR krijon motive të tilla qesharake, duke vendosur që takimin, i cili mund të sjellë ndërprerjen e grevës, ta zhvillojë ditën e sotme.

Do njoftojmë mediat për orën e takimit, ne po diskutojmë aspektet teknike me qëllim që të kemi një takim sa më konstruktiv, shprehet kompania, a thua se minatorët kanë në dispozicion gjithë kohën e mundshme dhe mund të presin.

Pas shtyrjes së takimit, Nikolla ka përsëritur akuzat ndaj ACR-së, duke thënë se po përpiqet që të manipulojë minatorët.

ACR po shtyn takimin sepse ka kontaktuar fshehtas minatorët, por harron se ata nuk manipulohen. Minatorët po bëjnë një grevë të vërtetë pasi kërkesat e tyre janë të ndershme pasi nuk duan më të luhet me gjakun e djersën e tyre. Në pranuam kushtet e ACR, u shpreh Nikolla.

Por, ka dyshime edhe për vetë Nikollën, duke parë mënyrën se si ky i fundit ka vepruar që prej fillimit të grevës së urisë së minatorëve.

Nikolla ka dhënë urdhër që me minatorët të mos komunikojë asnjë gazetar dhe televizion, me përjashtim të një televizioni lokal. Ai ka vendosur, me miratimin e minatorëve, që në minierë të mos hyjë asnjë person.

Por, ndërsa minatorët tashmë ndodhen prej dy javësh nën tokë, duke bërë grevën, Nikolla drejton nëpër media negociatat dhe ka ndryshuar në mënyrë të pashpjegueshme kërkesat e vendosura në fillim, siç është rritja e pagave të minatorëve.

E ndërkohë që ACR dhe Nikolla duket se po luajnë me njëri-tjetrin, në lojë është jeta e 13 minatorëve, që janë ngujuar në minierë dhe presin lajmin e mirë të gjetjes së një marrëveshjeje.

Ambientet ku ata po kryejnë grevën e tyre rrezikojnë që të shemben. Alarmi për këtë u dha nga ana e Ministrisë së Ekonomisë.

Reparti Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave ka lëshuar alarmin se ndërprerja e punës në minierën e Bulqizës ka rritur rreziqet për shembje masive.

Përmes një njoftimi për shtyp Ministria e Ekonomisë thotë se ndërprerja e punës dhe mirëmbajtjes së minierës rrezikon shembjen e nënkateve dhe të gjitha armatimeve që kanë qenë në proces pune. Për shkak se minatorët e ngujuar nuk lejojnë që në minierë të futen specialistët e mirëmbajtjes, rreziqet, thuhet në njoftim janë të shumta.

Mosndezja e ventilatorëve shkakton grumbullimin e gazrave të dëmshëm dhe helmues në galeri, ndërsa fikja e pompave për largimin e ujërave ka bllokuar minierën duke krijuar shembje të punimeve dhe shkatërrimin e pajisjeve e të makinerive të instaluara. Reparti i inspektimit një institucion në varësi të Ministrisë së Energjetikës konkludon se të gjitha këto elementë po çojnë drejt degradimit të minierës dhe i ka kërkuar organeve përkatëse që të ndërhyjnë për të siguruar kontrollin dhe monitorimin e pandërprerë të minierës nga specialistët e tij dhe kompanisë ACR.

Sindikata e Minatorëve nuk e ka lejuar këtë gjë dhe tashmë rreziku për shembjen e minierës është evident.

Në mënyrë që të shmanget më e keqja, të gjitha palët, por në mënyrë të veçantë familjarët e minatorëve që kanë hyrë në grevë, shpresojnë për gjetjen e një zgjidhjeje ditën e nesërme.

E ndërsa kjo dramë po vazhdon, vetëm shteti dhe institucionet e tij po bëjnë sehir.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›