E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dramë shqiptare nga Athina

Autori i Lajmit: Nga Jakup Gjoça
Q .M , miku im ishte ulur përballë meje dhe , edhe pse kishim një ndërkohë që rrinim në heshtje, përpiqej me gjithfarë xhestesh të pankontrolluara, të fshihte shqetësimin .
-Besomë, miku im- dikur më foli me një zë të këputur, dhe me sytë që mi vidhte- , ndihem edhe unë i turpëruar përballë fëmijës time.
- Edhe ty i turpëruar? Përse? – munda ta pyesja, më tepër që ta shkëputja nga tronditja shpirtërore.
-Erdhi vajza duke qarë në shtëpi. Mundi të na thoshte vetëm kaq .”- Në aeroportin e Athinës, më bënë të ndihesha e turpëruar pse jam nxënëse emigrante nga Shqipëria....” Kaq tha! Dhe pastaj , u mbyll në dhomën e saj , duke qarë....
-Çfarë i ndodhi?
- Ishin nisur eksursion me gjithë klasat e vitit të tretë të liceut të shkollës për në Francë. Dhe, vetëm vajzën time e kthyen mbrapsht.
-Përse?
- I thanë, që nuk mund ta lejojnë të shkojë eksursion me shoqet e shokët e saj , ngaqë ne, familja jonë akoma nuk kemi marrë lejen e qëndrimit, por kemi “ Veveosin”.
-Të kanë nxjerrë problem me dokumentat e rinovimit të leje qëndrimit?- e pyeta mikun tim Q.M
-Më kanë bllokuar rinovimin e leje qëndrimit, meqë jam në vitin e kaluar isha në asistencë sociale dhe nuk munda të plotësoja shumën e mbi 11.500 evrove.
-Po tani?
-Kam 9 muaj që paguaj avokat , e të gjithë më sorrollatin, më gënjejnë e më detyrojnë të paguaj avokat, e rinovim askush nuk më bën.
-Po, për vajzën, a nuk u interesuat më parë, që të mos e pengonin minutën e fundit në aeroport?
- Ua kishim sqaruar edhe drejtorisë të liceut.Ata u përpoqën, dhe deri në ambasadën franceze u interesuan. U kishin thënë, që meqë janë grup shkolle nga Athina, do të mundohen.
-Dhe, hiç!- thashë më tepër për të shprehur edhe protestën time , më shumë edhe ndaj premtimeve e përcjelljeve boshe të ambasadës franceze në Athinë.
-Më kupton? Ndihem edhe unë i turpëruar përpara fëmijës time. Pse , nga shkaku im e ndaluan, e dalluan fëmijën time nga shoqet dhe shokët e saj.Çfaj ka fëmija që erdhi këtu 2 vjeçe, mësoi klasën e parë e deri në vitin e fundit të liceut në sistemin arësimor grek, dhe e ndalojnë në aeroportin e Athinës , të mos udhëtojë ekskursion me shkollën e saj, duke e nxirosur ngaqë është ....emigrante shqiptare.
Miku im, kishte filluar të shpërthente zemërimin e brendshëm. Nuk fshihte më as sytë, as nervozizmin, as tonin e zërit. saqë një çast përplasi gotën në tavolinë. Pashë që dora iu gjakos.
E, ashtu, me dorën e gjakosur , duke shtrënguar gotën e thyer, ngriu një çast. Si për tu ardhur ndërmend, nga vrulli i zëmërimit të disa çasteve të mëparshme.
-Po, unë çfaj kam? – miku im vazhdoi të shpërthente ende zëmërimin , dhe as që u mundua të fshinte gjakun, dhe as gotën e thyer nuk e lëshoi nga dora.- I kam paguar të gjitha kërkesat që më detyroi ligji i emigracionit. E tani, pas 9 muajve, më thonë që nuk më rinovojnë lejen e qëndrimit!!! Shteti grek më bën që të ndihem i turpëruar që mbeta një ndërkohë i papunë! Shteti grek më bën që të ndihem edhe para fëmijës tim i turpëruar që mbeta një ndërkohë i papunë!!!
Nuk vodha, nuk shkela ligjin, nuk ngacmova askënd, e prapë shteti grek më detyron që të ndihem i turpëruar përse jam emigrant i ndershëm.
U mundova ta qetësoja mikun tim Q.M. I zgjata një kartëpecetë që të fshihte gjakun, të pastronte plagën nga copërat e gotës të thyer.
-Lëre, nuk më dhemb fare dora. – miku im Q.M nuk pranoi që të pastronte plagën e dorës. – Ligji grek i emigracionit na ka katandisur gotë të thyer, ne emigrantëve. Kjo na dhemb në shpirt, e na dhemb shumë.Besomë....
-Veç fëmijës tënd, a kthyen ndonjë tjetër?
- Jo. Sado e pabesuesshme, e vërteta është se në klasë, vetëm fëmija im është emigrant.Të gjithë të tjerët janë grekë.
-Kjo është edhe më e keqe. Që u ndje e vetmuar .Po, a të tha , si reaguan mësuesit grekë?
-Nuk bënë asgjë. Por, kjo është çudia. Dy shoqe të fëmijës, edhe pse greke, protestuan, dhe , siç më tha fëmija, refuzuan të udhëtonin pa shoqen e tyre emigrante.
-Dhe?
- U kthyen edhe ato. Nuk udhëtuan.
-Kjo duhet të ishte kryetitulli i lajmeve të informacionit të mediave greke. Por, ku u interesojnë grekërve të tilla turpe.Edhe ato na kanë neve, emigrantëve , njerëz zë kategorisë inferiore të shoqërisë greke.
-Ne emigrantëve, mediat greke vetëm na akuzojnë për vjedhje.
-Dhe, e di cila është ironia më e madhe e fatkeqësisë që nuk lejuan fëmijën tënd të udhëtojë me klasën e saj ekskursion në Paris?
-Cila?
- Që , pikërisht, po këtë ditë, në Eleniko , në ishaeroportin e Athinës mbahet Konferenca e 17-të e OSBE.Duke ndaluar fëmijën tënd, të udhërojë eksursion me klasën e saj për në Paris, vetëm e e vetëm pse ka “Veveosi” dhe jo lejen e qëndrimit, grekët “zbatojnë” praktikisht sigurimin Evropian nga nxënësit “e rrezikshëm”,
-Thua?- më pyeti miku im, dhe qeshi vetvetiu.
Qeshi me gjithë zemër. Ishte e para e qeshur që i mbiu vetvetiu në fytyrë.
U shkarkua shpirti i tij nga ajo dallgë zemërimi.Mbase , kësisoj shkarkoi edhe nga ndërgjegja e vet atë peshë fajësie prindërore ndaj fëmijës të vet. Që nuk mundi ti kishte “siguruar” fëmijës së vet paradhënie lejen e qëndrimit në Greqi..... (jakupgjoca@hotmail.com)

Ky lajm është publikuar: 07/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›