E Diel, 1 Nëntor 2026

Një e treta e 99-shave, të varur nga borderotë e Bashkisë së Tiranës

Kryesocialisti Edi Rama po end ngrehinën e Partisë Socialiste të Shekullit të ri, politikës së re të mishëruar në të dhe anekseve OJF-iste apo kimerit më të fundit që ka marrë përsipër të drejtojë ish-drejtuesi i Lëvizjes MJAFT, Erion Veliaj, duke përdorur ekzaktësisht të njëjtat lidhje nepotike, shoqërore apo miqësore që ka përdorur edhe paraadhësi i tij në selinë rozë. Të gjithëve duhet t’u kujtohet se gjatë rrugëtimit të tij të parë në bazën socialiste, në vjeshtën e vitit 2003, kur edhe ndërmori garimin e parë për kryetar partie, kryebashkiaku Rama e motivonte futjen e parimit “një anëtar - një votë”, si një mekanizëm jetik në ripërsëritjen e strukturave të PS-së, pikërisht për të prishur feudet që drejtues lokalë socialistë dhe farefisi i tyre kishin krijuar në rrethe të ndryshme të vendit, duke kryer sekserin në ndarjen e atyre pak posteve në administratën shtetërore lokale. E për t’i dhënë fund epokës së “agallarëve nanoistë në Partinë Socialiste”, të cilët sipas Ramës nuk ushqenin kurrfarë ideali për anëtarin dhe simpatizantin e thjeshtë e aq më tepër për fatet e vendit, por kujdeseshin vetëm që të mos shpërqëndroheshin nga gara e ethshme e akumulimit të sa më shumë llokmave të gatshme që ofronte pushteti, kryesocialisti përdori dy procese zgjedhore me lista të etiketuara si të manipuluara, për të nxjerrë jashtë loje të gjithë kundërshtarët.
Paradoksalisht njerëzit që ai afroi në lidershipin qendror, në asamblenë e madhe kineze prej 160 anëtarësh, ishin miq dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë në Bashkinë e Tiranës apo Ministrinë e Kulturës më herët, çka vërtetoi paralajmërimin e ish-katarsistit Petro Koçi se me zgjedhjen e Ramës në krye të selisë rozë “oborri i Bashksië do të transferohej tek oborri i PS-së”. G 99 është faza e re e rekrutimeve nepotike e klanore që kryesocialisti po ndërmerr në prag të zgjedhjeve të reja që ka shpallur e që do të mbahet para Kongresit muajit qershor. Mësohet se së paku një e treta e grupimit që do të drejtohet nga Veliaj është i punësuar direkt në njësinë më të madhe bashkiake në vend ose ka aty njërin prej familjarëve. Lidhja e interesave është kaq e ngushtë, saqë edhe një vëzhgues jo shumë i vëmendshëm i ngjarjeve të ditës, do të dinte të numëronte mbi 30 veta, nga aspirantët 99-sha që kanë firmosur në borderotë e bashkisë, kanë marrë pjesë në tenderat që ka organizuar ajo, apo prindërit a të afërm të rrethit të parë kanë interesa jetike të lidhura me “plevicën” financiare që drejton Edvini. Megjithatë, për etikë, numërimi i këtyre lidhjeve skandaloze nepotike e financiare do të kryhet sapo Erioni (Veliaj) të shpallë të përfunduar periudhën e “ngjizjes” së 99-shave e të publikojë listën e 99 “rekrutëve” të politikës ylberiste.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›