Basha: Shqipëria ka të gjitha arsyet për të besuar në marrjen e ftesës së NATO-s
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha mori pjesë në Konferencën për Politikat e Sigurise që u zhvillua në Mynih me 8-10 shkurt 2008. Gjatë pjesëmarrjes
në Konferencë, ministri Basha u takua dhe bisedoi me Sekretarin e Përgjithshem të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Javier Solana, Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Daniel Fried, Senatorin Joseph Lieberman, ish-ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, Richard Holbrook, ambasadoren e SHBA në NATO, Victoria Nuland, Këshilltarin Diplomatik të Kancelares Merkel, Christoph Heusgen, ministrin e jashtëm japonez Masahiko Koumura, ministrin e jashtëm slovak Jan Kubish, ministrin e jashtëm rumun, Adrian Cioronau, ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremiç, ministrin e jashtëm polak Radoslaë Sikorski, ministrin e jashtëm lituanez Petras Vaitiekunas, ambasadorin Ëolfgang Ischinger, etj, gjatë së cilave, kreu i diplomacisë shqiptare mori mbështetje të plotë për objektivin e Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit, si dhe vlerësime për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në fushat e sigurisë, të ekonomisë dhe politike. Duke vlerësuar
lart rolin e Shqipërisë së faktor stabiliteti në rajon dhe politikën e jashtme kostruktive të vendit tonë, bashkëbiseduesit ndanë mendimin se rajoni ndodhet para sfidave dhe momenteve shumë të rëndësishme për të ardhmen europiane dhe euroatlantike, siç është pavarësia e Kosovës, si dhe zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në Evropën Juglindore. Gjatë një prononcimi për radion Dojçe Vele, ministri Basha, i pyetur mbi këtë çështje tha vendimet merren në samitin e Bukureshtit, ku mblidhen kryetarët e shteteve dhe qeverive të çdo vendi antar të Natos, porse “perspektiva e Shqipërisë
për të marrë ftesën duket gjithmonë e më optimiste, siç u theksua dhe gjatë takimit shumë të rëndësishëm të këshillit të Atlantikut më 30 janar, kur kryeministri Berisha bëri prezantimin e fundit të ciklit të 9-të, dhe siç po theksohet nga partnerët tanë nga Uashingtoni në Evropë”. “Shqipëria i ka
të gjitha arsyet që të jetë optimiste por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojë
me përkushtim dhe intensitet reformat dhe përpjekjet në të gjitha fushat.
Tetë javë para takimit të Bukureshtit dhe shumë shpejt para përfundimit
të statusit të Kosovës, takime të tilla me partnerët tanë janë shumë të rëndësishme për të koordinuar pozicionet tona dhe për të planifikuar hapat për më tej. Lobingu është dimension i pandarë i diplomacisë”- deklaroi Basha. Forumi vjetor i Politikave të Sigurisë në Mynih konsiderohet si mbledhja më e rëndësishme e nivelit të lartë mbi çështjet strategjike të sigurisë në rajonin euroatlantik dhe në botë. Në këtë Konference u trajtuan çështje të rendësishme si: “Aleanca e Atlantikut dhe më tej“, “Sfida të stabilitetit europian”, “Ndërtimi i stabilitetit ndërkombëtar”, “Ku po shkon Rusia-një përpjekje e re për një rend të ri të sigurisë europiane”, etj. Në Konferencë morën pjesë kryetarë shtetesh, kryeministra, ministra te jashtëm, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates, Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Europian dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE Javier Solana, ministra të mbrojtjes, zyrtarë të lartë, diplomatë, ekspertë të cështjeve të sigurisë dhe opinionbërës. Përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO në prag të Samitit të Bukureshtit, situata në rajon dhe finalizimi i pritshëm i statusit të Kosovës ishin temat kryesore të trajtuara gjatë këtyre takimeve.