E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ekspozitë për rëndësinë e votës

Dega e fondacioni gjerman "Friedrich Ebert" në Shqipëri ka zgjedhur fotografinë për të sensibilizuar njerëzit për pjesëmarrjen në procesin e votimit. Sot, në orën 18:00, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar hapet ekspozita "Shqipëria Voton". Një cikël pamjesh nga jeta rurale dhe urbane në vendin tonë, të cilat ilustrojnë disa nga arsyet pse duhet votuar.


Ekspozita hapet me një portret të Skënderbeut, poshtë të cilit pyetet "Po ai për kë do të votonte"? Dhe në fotografitë që pasojnë jepen disa nga arsyet pse një qytetar shqiptar duhet të votojë.


Pamja e një shkolle të rikonstruktuar jep përgjigjen për një arsim më të mirë; portreti i një oficeri përgjigjet "për një shërbim civil më të kualifikuar"; disa fëmijë që luajnë në bregdet thonë për një turizëm bregdetar më të pasur; pamje të maleve shqiptare sugjerojnë një ambient më të pastër; portreti i një gruaje të moshuar kërkon një integrim më të madhe të gruas në shoqëri etj.


Organizatori i ekspozitës fondacioni "Friedrich Ebert", është një organizëm ndërkombëtar që promovon idenë e një Evrope si tërësi vlerash, bazuar në njohjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Ekspozita sensibilizuese qëndron e hapur deri më 27 qershor.



Studentët e Akademisë tregojnë rezultatet


Fundi i vitit akademik sjell në skenën e Akademisë së Arteve punët përfundimtare të studentëve, që nesër do të jenë artistë me kohë të plotë. Sot në mbrëmje, në orën 18:00, është radha e studentit të degës së koreografisë, Eltion Merja, të tregojë se çfarë ka përvetësuar në katër vite studime në Akademinë e Arteve. Shfaqja titullohet "Karakteret" dhe Merja në këtë punim diplome ka realizuar edhe kostumet dhe skenën. Për plastikën trupore të baletit është kujdesur Arben Spahia.


Mbrëmja e fagotës


Orkestra e RTSH-së i zhvendos koncertet në hollin veror të RTSH-së "Gjon Simoni". Sot, në orën 19:00, instrumentisti Pirro Sota (fagotë) interpreton me orkestrën e RTSH-së pjesët "Euryanthe", "Andante e Rondo për Fagot e Orkestër" nga kompozitori Carl Maria von Weber, si dhe Simphony nr.101 "Die Uhr", nga Josef Hydn. Mbrëmja muzikore drejtohet nga dirigjenti Bujar Alliu.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›