Një fëmijë në fshatin SOS: Xhaxhi Sali, Erit mos i jep dhuratë, se ka dajën me Edi Ramën

Berisha dhe e shoqja ne fshatin SOS
Nga Kledian Lula
Në vijim të demagogjisë së tyre të shëmtuar e klasore në lidhje me dashurinë për fëmijët shqiptar, kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij Liri (Sllobodanka) Berisha shkuan në fshatin SOS për të shpërndarë dhurata për fëmijët jetimë. Në fakt, sipas zakonit, çifti Berisha në këtë prag VITI RI 2012, së pari duhet të ishte dhe në familjet e fëmijëve jetimë të Gërdecit, të Ziver Veizit, Aleksandër Nikës, Hekuran Dedës e Faik Myrtajt, të cilëve berishët që kanë pushtetin, u kanë vrarë prindërit në 15 mars 2008 dhe në 21 janar 2011. Por berishët nuk denjuan të shkojnë pranë tyre me dhurata, me përkëdhelje e ngrohtësi dhe pse jo, me pendesë e falje. Por ata i shpërfillën këtë jetimë, megjithëse klika e pushtetit të tyre u vrau prindërit në një fabrikë biznes-vdekjeje pronë e familjes kryeministrore dhe në një protestë sociale, ku ata kërkonin drejtësi, punë e bukë për fëmijët.
Në prag të VITIT të RI, berishët zgjodhën të shkojnë e të derdhin lot dhimbjeje përballë jetimëve të fshatit SOS, ndoshta dhe për motivin e sigurisë, se atje ndoshta nuk i akuzonte njeri për vrasjen e prindërve. Mirëpo edhe në fshatin SOS, dy berishët nuk shpëtuan prej zullumeve të tyre, të bëra ndaj shqiptarëve. Ndërsa prej fëmijëve jetimë nuk pati akuza, mes tyre u shfaq e plotë përçarja që SALIU vazhdon të praktikojë ashpërsisht mes shqiptarëve. Po publikojmë episodin e përçarjes, që u shfaq e plotë edhe mes fëmijëve të fshatin SOS. Në momentin që kryeministri po shpërndante dhuratat për fëmijët (jo me lekët e tij, por me lekët e qeverisë), një nga fëmijët iu drejtua SALIUT me fjalët: – Xhaxhi Sali, xhaxhi Sali, Erit mos i jep dhuratë, se e ka dajën me Edi Ramën
Kjo është atmosfera në Shqipërinë e vitit 2012. Tepër e dhimbshme, por kjo klimë ndasie e urrejtjeje është futur deri tek zemrat e njoma të fëmijëve. Kjo propagandë intensive djallëzore, ky qëllim i mbrapsht anti-shqiptar përçarës, por realizohet prej pushtetit të SALIUT, prej mediave të SALIUT dhe e prej vet SALIUT, për ndarjen e shqiptarëve:
- Në shqiptarë miq dhe shqiptarë armiq.
- Në shqiptarë të PD dhe shqiptarë të PS.
- Në shqiptarë të SALIUT dhe shqiptarë të EDIT.
- Në shqiptarë që gëzojnë të drejta dhe shqiptarë pa të drejta.
- Në shqiptarë që duhet të hanë bukë dhe shqiptarë që duhet të vdesin për bukë.
- Në shqiptarë vjedhin prona dhe në shqiptarë që u vidhet prona me dajak pushteti.
- Në shqiptarë që duhet te jetojnë dhe shqiptarë që duhet të vriten.
- Në fëmijë qeveritarësh që duhet të shkojnë në çerdhe, shkolla e pishina me eskortë policie dhe në fëmijë që duhet të ecin maleve me këmbë nga 4 orë për të shkuar në shkollë.
- Madje deri dhe në ndarje të tilla: Në fëmijë të PD dhe në fëmijë të PS.
Dhe nuk ka si ndodh ndryshe, kur fëmijët e dëgjojnë përditë në ekrane SALIUN, që nuk flet si kryeministër, por si pronar i vendit. Nuk ka si ndodh ndryshe, kur fëmijët dëgjojnë përditë, madje dhe në derën e kishës e të xhamisë, në 1 Qershor e në Vitin e RI, që SALIU shpall dhe cilëson armiq, ata që nuk janë politikisht me të, ata që i denoncojnë dhe i publikojnë plaçkitjet e krimet, ata që luftojnë ta ndalojnë të shesë Shqipërinë e të shpërbëj kombin shqiptar. Nuk ka si ndodh ndryshe, kur fëmijët dëgjojnë e shikojnë në ekrane ministrat, deputetët, politikanët, shkencëtarët, letrarët, historiano-mjeranët dhe agjitatorët e paguar të pushtetit, që dalin e shpallin Armik të Shqipërisë Edi Ramën dhe PS. Nuk ka si ndodh ndryshe, kur fëmijët dëgjojnë e shikojnë që prindërit e tyre, komshinjtë dhe të tjerë shqiptarë hiqen nga puna, sepse janë anëtarë e simpatizantë të PS, ose sepse nuk zbatojnë urdhrat e klikës SALI. Nuk ka si ndodh ndryshe, kur fëmijët dëgjojnë e shikojnë, që prindërit e tyre vriten nga pushteti sepse dalin në protestat për punë, bukë e siguri për jetën. Nuk ka si ndodh ndryshe, kur fëmijët shikojnë që ushtarët e Gradës së Republikës shoqërojnë me eskortë të blinduar policie, kur mbajnë në krahë dhe spastrojnë rrugët nga njerëzit për mbesat dhe nipërit e SALIUT, për vajzat e LULIT, për shoqet e Jozefinës e të Argitës, për ortakët e Shkëlzenit, për Gimen e Ilir Metës, për bixhozxhinjtë e Fatmir Mediut dhe dashnoret e Ylli Pangos.
Ja kjo është ndarja e armiqësia e instaluar mes shqiptarëve. Kjo frymë e nxiti dhe atë fëmijën tek fshati SOS, që ti thoshte kryeministrit: – Xhaxhi Sali, xhaxhi Sali, Erit mos i jep dhuratë, se ka dajën me Edi Ramën
Pse? Sepse ai fëmija e di mirë, pra e ka kuptuar që SALIU e ka bërë ndarjen mes shqiptarëve në miq dhe armiq të pushtet-familjes kryeministrore. Jo vetëm të rriturit, por dhe ai fëmija tek fshati SOS, fëmijët në të gjithë fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë e dinë tashmë, se xhaxhi SALIU, atij që nuk është me partinë e tij, me pushtetin e tij, me politikën tij në shërbim të verbër ndaj tij nuk u jep asgjë, nuk shkon ti takoj e ti përkëdhel, madje nuk jep as dhurata për VITIN e RI. Siç nuk shkoi e nuk u dha dhurata për këtë VIT të RI, as 39 jetimëve të Gërdecit e as 10 jetimëve të 21 janarit 2011.