Halimi kërkon procedim për prokurorin që firmosi urdhër-arrestet për drejtuesit e Gardës
Kjo është hera e dytë brenda pak kohësh që Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, kërkon procedim për prokurorët që drejtojnë hetimin për 21 janarin. Fillimisht u kërkua procedim për Sokol Malajn, drejtuesin e akuzës për kryeqytetin. Tani në shënjestër të Halimit është zv/prokurori i Tiranës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Genci Qana. Lajmin e bën të ditur e përditshmja Shqip, që thekson se prokuroria po e sheh kët kërkesë në vazhdën e presioneve për 21 janarin. Mësohet se Qana është personi që ka firmosur urdhër- arrestet për drejtuesit e Gardës më 22 janar, të cilat nuk u ekzekutuan pas ndërhyrjes së Berishës.
Ministria e Drejtësisë ka ushtruar një kontroll tek Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kërkon procedim për Qanën dhe disa prokurorë të tjerë. Ministria thotë se shkeljet më të rënda që janë zbuluar janë pushimi i dosjeve dhe tejzgjatja e hetimeve pa motiv. Vetë Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një inspektim për të parë nëse qëndrojnë akuzat e Ministrisë së Drejtësisë.