Një finale e vogël për katërshen

Partizani pret Elbasanin në një finale të vogël që vendos për finalet e mëdha. Të kuqve iu duhet fitorja përballë skuadrës më të mirë të javëve të fundit. Verdheblutë marshojnë pa humbje, ndërkohë që kanë luajtur më pak ndeshje muajin e fundit.
Partizani dhe Elbasani i dhurojnë një mbyllje spektakolare sezonit të rregullt në Abissnet Superiore, me përballjen direkt midis tyre për të siguruar një vend në Katërshen Finale e për të synuar titullin. Është një skenar ëndrrash për Elbasanin, që marshon pa humbje që nga 9 shkurti, por makth për Partizanin që tre muaj më parë nuk do ta kishte menduar kurrë një gjë të tillë, në fakt si kushdo që ndjek kampionatin shqiptar.
Gara për katër vendet e para u duk praktikisht e e mbyllur që në dhjetor dhe secila prej skuadrave priste vetëm sigurinë matematike, gjë që ndodhi për tri të tjerat, por jo për të kuqtë. Partizani tani madje as nuk ka një pozicion për të mbrojtur, pasi tashmë gjendet në vendin e pestë, duke ia lënë të katërtin Elbasanit, pas humbjes që pësoi me Bylisin javën e kaluar.
Të dyja janë me nga 50 pikë, por verdheblutë kanë avantazhin e përballjeve direkt, pasi në tri fazat e mëparshme kanë një fitore 2-0 dhe dy barazime, 1-1 e 2-2. Partizani luan në Arenën e Demave, por përballë do të ketë skuadrën më të mirë aktualisht, me 11 rezultate pozitive radhazi, ndërkohë që te skuadra e Skënder Gegës peshon edhe lodhja fizike e më tepër ndeshjeve të luajtura.
Për Partizanin do të jetë ndeshja e tetë brenda një muaji, që nga 26 marsi deri më 27 prill, ndërsa për Elbasanin e gjashta, duke llogaritur që të kuqtë patën dy gjysmëfinalet e Kupës kundër Egnatias, me ndeshjen e kthimit në mesjavën e kaluar që shkoi në shtesë. Një malore e vërtetë, për të cilën Demat duhet të mbledhin energjitë e fundit për ta kapërcyer.