E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një hap historik për të ardhmen

Edmond Panariti/ Ish- ministër i Jashtëm

Praktikisht, kjo marrëveshje shënon njohjen “de facto” të pavarësisë së Kosovës nga Serbia; konsolidon dhe çimenton integritetin me ushtrim të plotë të sovranitetit mbi të gjithë territorin e saj Kosova dhe Serbia, kryen një hap të jashtëzakonshëm me arritjen e marrëveshjes midis tyre. Kjo marrëveshje është padyshim një arritje e shënuar dhe historike, e cila normalizon jo vetëm marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por i hap një perspektivë të re të gjithë rajonit të Ballkanit drejt proceseve integruese në Bashkimin Europian. Pikërisht atëherë kur dukej se procesi i dialogut ishte futur në “impass” dhe i bllokuar, kemi fatmirësisht zhvillime shpërthyese pozitive. Mbetet për të parë sesi do të jenë zhvillimet pas kësaj marrëveshjeje dhe si do të zbatohet ajo.

Më shumë rëndësi në këtë marrëveshje do të kenë pika të veçanta dhe veçanërisht pika e 14-të e marrëveshjes, sipas së cilës të dy vendet, Kosova dhe Serbia, angazhohen për të mos penguar njëratjetrën në proceset e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Po kështu, me shumë rëndësi është edhe njësimi dhe shtrirja në të gjithë territorin e funksioneve policore dhe atyre të gjykatave, e cila do të shoqërohet patjetër me largimin e strukturave paralele serbe në rajonin e Mitrovicës. Arritja e kësaj marrëveshjeje, do t’i japë një shtysë të jashtëzakonshme procesit të njohjeve të reja të Kosovës, ku pritet që në radhë të parë kjo të ndodhë nga pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë bërë atë. Natyrisht që pritet që Kosova të përshpejtojë anëtarësimin në organizma ndërkombëtare dhe brenda këtij viti të jetë e gatshme të aplikojë për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuar.

Pritet që kjo marrëveshje të ndalë tendencat serbe për enklavizim të Veriut të saj si dhe të mbyllë përfundimisht orvatjet për cenim të integritetit territorial të Kosovës, nëpërmjet propozimeve për ndarje të territoreve. Praktikisht, kjo shënon njohjen “de facto” të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, konsolidon dhe çimenton integritetin me ushtrim të plotë të sovranitetit mbi të gjithë territorin e saj. Një rol të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes ka patur baronesha Ashton, por padyshim edhe kruajua dhe këmbëngulja e kryeministrave, Thaçi dhe Daçiç.

Kjo marrëveshje mbyll një kapitull tensionesh, konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh; ajo hap siparin e një klime të re raportesh në Ballkan. Kjo marrëveshje, e nënshkruar midis z. Thaci dhe z. Daçiç, mund të krahasohet për nga domethënia me takimin e Verdunit në 1984, midis kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe presidentit francez Miterrand, takimi i cili shënoi një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve. Me këtë takim historik në vitin 1984, të dy këto vende, vendosën të ndaheshin nga e shkuara e luftërave, konflikteve dhe përplasjeve dhe të shihnin drejt së ardhmes së bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore. Ashtu si edhe në marrëveshjen e sotme, jo të gjithë e kuptuan dhe e mbështetën atë, por koha dëshmoi se ky hap ishte një moment historik, i një kthese pozitive të jashtëzakonshme. I tillë është padyshim edhe rasti i marrëveshjes së arritur midis Prishtinës dhe Beogradit.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›