Vëzhgimi/Pse nuk u thirr ambasadori Wolfarth në konsultim, prej kryetarit të PS?
Organizmi ndërkombëtar që ka përgjegjësinë të çertifikojë zgjedhjet e 23 qershorit, OSBE-ja s’ka qenë dje i ftuar në “konsultimin” që është zhvilluar në selinë e PS-së mes Edi Ramës dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, të akredituar në Tiranë. Ajo që ka bërë përshtypje, më shumë sesa mungesa, është qëndrimi arrogant me të cilin burokratët e selisë mavi komentojnë qëndrimet e ambasadorit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Ata thonë se tashmë s’i pranojnë më qëndrimet e ambasadorit Wolfarth e se kryetari i opozitës ia kishte bërë të qartë ambasadorit se s’mund të bashkëpunonte me të. S’është e qartë se sa e thellë është thyerja mes Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe opozitës shqiptare, por të njëjtët burokratë, i thanë dje medias në mënyrë konfidenciale se tashmë Edi Rama e kishte njoftuar ambasadorin Wolfarth se s’mund të bashkëpunonte me të, përderisa qëndrimet e tij kishin dallime nga perceptimi që ai kishte për qëndrimin e diplomacisë së BE-së dhe të SHBA-së lidhur me standardin e demokracisë në Shqipëri. Të njëjtat burime raportuan edhe për një telefonatë-shfryrje që kryetari i opozitës i paskërkësh pas bërë ambasadorit Wolfarth, lidhur me deklaratën e tij të paradites se “KQZ funksionon edhe me 5 anëtarë, por mirë do të ishte që të kishte pjesëmarrje të plotë”. Burimet folën për një thyerje finale mes PS-së dhe prezencës së OSBE-së. Sido që të jetë zbardhja e komunikimit, e vërteta mbetet se ambasadori i OSBE-së s’u thirr në konsultimin e djeshëm dhe se PS-ja s’ka kurrfarë interesi për zgjedhje të lira me 23 qershor, meqenëse s’i intereson bashkëpunimi me organizmin ndërkombëtar që ka përgjegjësinë për certifikimin e standardeve të zgjedhjeve.
...