E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një hap larg tregut të punës – Shkolla profesionale “Hasan Gina” në Lushnje nis regjistrimet

Arsimi profesional është duke u parë gjithnjë e më shumë me interes për të gjithë ata që kërkojnë të hyjnë në tregun e punës sa më shpejt. Për më shumë se 55 vite shkolla profesionale Mekanike Bujqësore “Hasan Dervish Gina” në Lushnje mban të hapura dyert për nxënësit e saj, ndërsa ndër vite ka shtuar degët e studimit.

“Interesi është maksimal sepse janë bërë të vetëdijshëm që dalin direkt për tregun e punës. Në shkollë kemi 5 degë, informatikë, ekonomi-biznes, elektrik, hidraulikë dhe shërbime të mjeteve motorike”, tha drejtori i shkollës, Ardian Prifti.

Regjistrimet për vitin e ri shkollor vazhdojnë, ndërsa objektivi është mbi 130 nxënës në vitin e parë.

“Nga 1 korriku jemi këtu për të arritur objektivat për regjistrimin e numrit të nxënësve që është 135”, tha ai.

80% e nxënësve që ndjekin këtë shkollë punësohen që pas mbarimit të klasës së 11.

“Punësimi është dual dhe është një shpërblim që jepet gjysma e rrogës bazë dhe ai fiton zanatin dhe marrëdhëniet me klientët”, tha mësuesi Artur Dushi.

Nxënësit që studiojnë në këtë shkollë vijnë jo vetëm nga ky qytet por edhe nga Fieri, Berati , Peqini apo Rrogozhina.

Gazetare: Heriselda Durmishi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›