Publikohet harta- Interes i lartë për “Paketën e Maleve”, Rama: Mbi 780 aplikime në vetëm 5 ditë

Vetëm pesë ditë pas hapjes së aplikimeve, nisma e qeverisë e njohur si “Paketa e Maleve” ka shkaktuar një interes të madh, me 787 qytetarë që kanë shprehur dëshirën për të investuar në tokat e tyre në zonat malore.
Kryeministri Edi Rama publikoi të dhënat e para, shoqëruar me një hartë që ilustronte shpërndarjen e aplikimeve në të gjithë vendin.
“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë,” u shpreh Rama, duke theksuar suksesin e hershëm të programit.
Paketa e Maleve synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve në zonat malore, veçanërisht në veri të vendit, duke ofruar lehtësi të konsiderueshme fiskale.
Për 500 aplikuesit e parë, ligji parashikon përjashtim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), tatimi mbi të ardhurat, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe taksa për infrastrukturën, për një periudhë prej 10 vjetësh.
Ky fluks i shpejtë aplikimesh sugjeron një potencial të lartë për transformimin e zonave malore dhe rritjen e aktivitetit ekonomik në këto rajone, duke shpresuar të krijojë vende pune dhe të përmirësojë cilësinë e jetesës për banorët.
/rtsh.al/