Një i vrarë dhe katër të plagosur nga të shtënat me armë zjarri pranë Parisit

Një person ka humbur jetën, ndërsa të paktën katër të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në zonën e Yvelines, në perëndim të Parisit, në Francë.
Lajmin për vdekjen e një personi e bëri të ditur të premten presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili konfirmoi se viktima ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Kryetari i komunës së Trappes, Ali Rabeh, deklaroi për televizionin BFMTV se autori i dyshuar kishte hapur zjarr nga brenda një automjeti. Sipas tij, të shtënat dukeshin të kryera pa një objektiv të caktuar, ndërsa situata krijoi dyshime se bëhej fjalë për një sulm me pasoja të rënda, raportojnë mediat e huaja, përfshirë CNN.
Mes personave të plagosur raportohet të jetë edhe një vajzë 12-vjeçare. Rabeh bëri të ditur gjithashtu se i dyshuari banonte në një qytet pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Autoritetet franceze ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me arsyet që mund të kenë çuar në këtë sulm, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave vijojnë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, njoftoi përmes një reagimi në rrjetin social X se strukturat e sigurisë janë angazhuar plotësisht për të përballuar situatën.
Ndërkohë, Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit ka bërë të ditur se po e ndjek nga afër çështjen. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar nëse ngjarja do të hetohet zyrtarisht si një akt terrorist.