Një javë nga Kupa e Botës, nis numërimi mbrapsht

Ka nisur të hënën numërimi mbrapsht, kur ka mbetur edhe një javë nga nisja e Botërorit të Futbollit. E vëmendja e të gjithë futbollistëve të kombëtareve pjesëmarrëse në këtë Kupë Bote është përqëndruar te një nga turnetë më të diskutueshëm në histori. Kupa e parë botërore që do të mbahet në botën arabe do të nisë të dielën kur vendi pritës do të përballet me Ekuadorin. Ajo ndeshje do të shënojë kulmin e fushatës së jashtëzakonshme të Katarit për të nisur një zbavitjen pas shpenzimesh prej dhjetëra miliarda dollarë për të ndërtuar stadiume dhe infrastrukturë.
Botërori i futbollit në një shtet në shkretëtirë ka bërë të nevojshme një riorganizim të paprecedent të kalendarit ndërkombëtar të futbollit, duke e zhvendosur Kupën e Botës në dimër, për të shmangur vapën përvëluese të Gjirit. Vendi me gati tre milionë banorë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror në botë, ka shpenzuar shumë. Stadiumet e reja kushtuan më shumë se 6.5 miliardë dollarë dhe një sistem metroje pa drejtues shkoi deri në 36 miliardë dollarë. Shpenzimet e përgjithshme të infrastrukturës gjatë dekadës së fundit shkuan deri në 200 miliardë dollarë.
Organizatorët kanë parashikuar se më shumë se një milion tifozë do të udhëtojnë në Katar. 2.9 milionë nga 3.1 milionë biletat janë shitur. Në Evropë, ndjehet shumë shqetësimi për akomodimin dhe qëndrimin në një vend pa asnjë traditë të organizimit të një turneu futbolli. Edhe ndërtesa e Komitetit të Rindërtimit të Katarit në qytetin e Gazës është zbukuruar me stemën e FIFA-s dhe pamjen e trofeut të Kupës së Botës.