Një javë para zgjedhjeve, tre ambasadorët te Berisha
Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha, priti dje në zyrën e tij në takime të veçanta, ambasadorët kryesorë të akredituar në Tiranë. Kryediplomati amerikan, Aleksander Arvizu, shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Ëollfarth, kanë bashkëbiseduar me shefin e mazhorancës në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Zyrtarisht nuk është lëshuar asnjë deklaratë, në lidhje me atë çka është thënë nga të dyja palët në këto takime. Gjithsesi mësohet se fokusi kryesor kishte të bënte me masat e marra për të garantuar një proces të ndershëm e të lirë zgjedhor, të dielën e ardhshme. Gjatë gjithë fushatës, diplomatët perëndimore e kanë vlerësuar si tejet të rëndësishëm 8 majin, për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Sakaq, në disa prononcime, faktori ndërkombëtar ka nënvizuar se përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve e ka qeveria, por kanë kërkuar gjithashtu një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, sa i takon frymës dhe dialogut në mbarëvajtjen e procesit. Prej disa javësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian po asistojnë me përfaqësuesit e tyre, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ambasadori Arvizu ka deklaruar se njëri prej dy personave paguhet nga taksapaguesit amerikanë dhe ka një përvojë praktikë në terren me zgjedhjet në rrethana të ndryshme. “Ne jemi vëzhgues; jemi këtu për të ofruar mbështetje, rekomandime dhe këshilla. Drejtimin e kanë shqiptarët. Unë shpresoj që ky person, i cili ka shumë përvojë, nëse i kërkohet do të mund të ofrojë ide duke u bazuar mbi përvojën e tij tjetërkund, çka mund të ndihmojë për të zgjidhur çështje të ndryshme që mund të dalin”, qe shprehur Arvizu. Vetëm pak ditë më parë, misioni i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit publikoi raportin e dytë paraprak. Në dokument thuhej se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ecur përpara, në drejtim të miratimit të rregulloreve, lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve. Megjithatë, në këtë periudhë të raportimit, nuk u respektuan katër afate kohore të procesit zgjedhor. Në përgjithësi, KQZ-ja i ka votuar njëzëri vendimet në lidhje me përgatitjet administrative dhe teknike të zgjedhjeve, por ka votuar me tendenca partiake çështjet e debatuara nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Socialiste (PS). Sipas vëzhguesve të ODIHR-it, shumica e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të) duket se po punojnë me efiçencë dhe në kolegjialitet, pa probleme të mëdha. Në pothuajse të gjitha bashkitë ka qendra votimi me më shumë sesa kufiri ligjor prej 1000 votuesit të regjistruar, ndërsa vendndodhja e disa qendrave të votimit është bërë objekt debatesh për shkak se ato janë vendosur në ambiente private. Misioni konstatoi se pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë për qetësi, mjedisi i tensionuar politik i muajve të fundit është pasqyruar në disa incidente të dhunshme të lidhura me fushatën. “Ka pasur një numër të madh akuzash për presion ndaj administratës shtetërore dhe nxënësve. MVZ i OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si të besueshme tri raste presioni ndaj mësuesve, për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, por deri më tani nuk ka mundur të konfirmojë pretendime të tjera”, thuhej në raport.