Ambasadori i OSBE: Policia, masa të shkëlqyera për 8 majin
Tiranë- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth ka vlerësuar maksimalisht masat e Policisë së Shtetit për zgjedhjet e 8 majit. Në një takim të zhvilluar dje me kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Ëollfarth tha se policia është duke bërë përgatitje të shkëlqyera për ditën e zgjedhjeve. “Kjo është një detyrë shumë e madhe për Policinë e Shtetit, e cila është vlerësuar maksimalisht. Policia është shumë koshiente për detyrimin që ka. Qëndrimi i shkëlqyer i Policisë së Shtetit është dëshmuar jo vetëm në proceset zgjedhore të mëparshme, por qëndrimi i mbajtur prej saj ka qenë në vijimësi me korrektësi, në zbatim të ligjit dhe në mënyrë të veçantë dhe gjatë kësaj periudhe. Policia e Shtetit është duke bërë përgatitje të shkëlqyera për ditën e zgjedhjeve dhe nga masat e marra rezulton që Policia e Shtetit Shqiptar është plotësisht e ndërgjegjshme se qytetarët kanë të drejtë të votojnë dhe të kenë akses të lirë në qendrat e votimit” – tha Ëollfarth, pas takimit me Burgajn. Po ashtu, ambasadori i OSBE-së, duke konfirmuar ndihmën për mbulimin me komunikim të zonave të largëta malore, ku paraqiteshin vështirësi, garantoi mbështetjen e vazhdueshme për Policinë e Shtetit në të gjitha ato raste që do të gjykohet e nevojshme. Gjatë fjalës së tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë u ndal në mënyrë të veçantë në masat e marra për ditën e zgjedhjeve. “Tashmë po afron dita e zgjedhjeve dhe nga ana e Policisë së Shtetit janë marrë të gjitha masat organizative dhe hartuar dhe planet përkatëse. Nga data 6 e në vijim, Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar dhe do të ketë shërbim 24 orë. Është bërë një plan shumë i detajuar dhe janë marrë masa që policia t’i përgjigjet në kohën e duhur çdo problemi”, - tha Burgaj për mediat. Sipas tij, masat e policisë janë të plota dhe vlerësimi është shumë i madh, për të mbajtur nën kontroll situatën. “Policia e Shtetit do të jetë e paanshme dhe është e vendosur të zbatojë vetëm ligjin, në mënyrë që standardet e arritura t’i çojmë dhe më tej” – theksoi Burgaj. Në fund të fjalës së tij, Burgaj evidentoi gjithashtu faktin se i është kërkuar bashkëpunim, si Programit ICITAP, ashtu dhe Misionit PAMECA III, që të monitorojnë veprimet e shërbimeve të policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor në të gjithë vendin, si dhe qëndrimin që ato do të mbajnë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke bërë dhe kritikat përkatëse sa herë që do të shihet e nevojshme prej tyre, pasi kjo është mjaft e rëndësishme për Policinë e Shtetit.