Një kasko për rilindjen
Vota plebishitare për rilindje dëshmoi se mbarë shoqëria ndan të njëjtën pritshmëri që lidhet me normalitetin demokratik dhe shtetin ligjor. E nëse rilindja është shans për të gjithë, ajo është dhe detyrim dhe sfidë për të gjithë qytetarin e shoqërinë për të lënë pas inercinë e përshtatjes me të keqen e degradimin në një shoqëri celularësh të trafikut të ndërsjellë të ndereve, dhe vetë politikën që u votëbesua në emër të saj. Por ndërsa emancipimi i elektoratit dhe me të rreziku i parakohshmërisë së rilindjes është subjekt i kohës, për politikën alibitë kanë marrë fund.
Përtej rezultatit, shansi i rilindjes ngjizet edhe nga sjellja e fituesit më pas. Nëse shumica u bënë bashkë sepse duan të njëjtën gjë, gjuha e fituesit duhet të jetë gjuha e të gjithëve. Pritshmëritë ndaj rilindjes janë në zenit dhe me kohën që fluturon, litarët pafund të PD pas dhe oguret për opozitë mllefi të saj, rreziku i zhgënjimit elektoral mund të çojë në fundin e iluzionit të vetë rilindjes. Ndonëse nuk jemi realitet britanik (aty manifesti elektoral përbën ligj të pashkruar), rilindja nuk ka vend për përthyerje demonstrative premtimesh dhe marrjeje elektorati të mirëqenë si deri më sot. Ajo kërkon veç garanci.
Njësh me qytetarin
Zhgënjimi prej premtimeve inflacioniste mbetet gangrenë e tranzicionit ku më tipiket, qoftë për miopi politike (zor të besohet) apo pengmarrje të qëllimshme të zhvillimit në favor të gjeopolitikës antishqiptare në rajon, janë vota e lirë, çështja e pronës, legalizimet, të persekutuarit, statusi i nëpunësit civil, hapja e dosjeve etj.
Që rilindja të mos katandiset në ashtu ishte loja ka rëndësi si mbajtja e premtimeve ashtu dhe vullneti i qartë për to. E nëse e para varet edhe nga rrethana objektive, ajo mund të mirëkuptohet sa kohë nuk vihet në dyshim vullneti për ti përmbushur ato sepse përtej afatit (gjatësisë së tunelit), rëndësi ka futja në hullinë e zgjidhjes parimore (drita në fundin e tij).
Elektorati priret të jetë më mirëkuptues dhe ngushëllohet disi për ngërçet në përmbushjen e premtimeve, kur vëren një moral demokratik qeverisës që garanton transparencë, mospërflitje për nepotizëm të shndërruar në sistem, mosadaptim stilesh jetese të pajustifikuara – vilamania, familjarë VIP që shndërrohen në brokera interesash, garderobë makinash etj. Modestia e politikanit nuk ka pse të jetë klishe, duke u shfaqur natyrshëm, sipas rastit, si tek bërja e pazarit në supermarket, pritja tek kangjellat e shkollës për fëmijën, rradha tek mjeku i familjes, trokitja e një gote me miqtë në barin e lagjes, zbritja nga podiumi i mitingut për të takuar ata që e nderuan me pjesëmarrje etj rituale qytetare që krahas respektit ndaj elektoratit, ngjizin kohezionin politikë-qytetar dhe promovojnë një publicitet unik gojor efekti i të cilit tejkalon qindra slogane reklamash klishe.
Domosdoshmëri postzgjedhore është dhe përulja ndaj votëbesimit plebishitar. Gjetja e duhur e mitingut të fitores në Shkodër duhet të pasohet me mitingje falenderimi në çdo qark ku u apelua për votën duke respektuar pa dallim këdo dhe kudo dhe blerë më shumë kohë e mirëkuptim për qeverisjen e vështirë në prag.
Vaksinimi i rilindjes
Rilindja nuk e ka luksin të jetë peng i rastësisë – pamundësi qeverisjeje, zhbërje aleancash etj. Nëse qeverisja xhiron në vend, krahasimi me 39 nuk bind kënd sepse qeverisja nuk është për tu justifikuar për problemet e bartura por për tu dal zot tyre me transparencë dhe përgjegjshmëri.
Përgjegjshmëria – dorëheqjet individuale, rokadat në qeverisje e sipër dhe deri zgjedhjet e parakohshme, mbeten valvula e vetme si për të ruajtur frymën e rilindjes ashtu dhe për të mbijetuar në politikë sepse sa dobësi apo dështim personal, ato shihen si seriozitet dhe respekt ndaj votuesit duke rezultuar në aset politik e pedanë për votëbesimin elektoral në vijim.
PD humbi zgjedhjet si për shkak të qeverisjes problematike ashtu dhe arrogancës së të mandatuarit e shansit të humbur për të rilançuar në kohë vetveten përmes rotacionit të brendshëm (ndërrimi i kryeministrit, drejtuesit të partisë, dorëheqjet individuale apo zgjedhjet e parakohshme etj shpërfillja e të cilave provokoi shpërfilljen plebishitare përmes rotacionit të jashtëm elektoral).
Rilindja presupozon rotacion emrash dhe ambicia për lidership të gjatë e zbeh apelin e saj, për më tepër kur jetëgjatësia e emrit në politikë, sesa hyrja e jetëgjatësia në politikë varet nga qëndrimi që bën epokë, qoftë ky dhe largim prej saj.
Asgjë rastësisë
Fati i rilindjes nuk duhet të mbetet peng i kohezionit ndërpartiak. Precedentët nuk mungojnë ndaj sa kohë kohezioni i aleancës së majtë nuk mund të merret i mirëqenë, qeverisja më vete mbetet një skenar rezervë me parakusht rishikimin e ligjit zgjedhor e garantimin e votës së lirë.
Ligji spanjoll degradon dhe deformon përfaqësimin elektoral dhe pjell koalicione të marra peng ndaj zëvendësimi në kohë me mazhoritar me dy raunde apo STV irlandez është urgjent. Sikurse edhe shoshitja e listave elektorale, depolitizimi i policisë, garancia e monitorimit dhe numërimit të votave, reformimi apolitik i KQZ, futja në sistem elektronik i kartave të identitetit etj.
Ndërsa afrimi i përfolur PS-LSI mund të përligjej si opsion për rotacion, sa kohë protagonizmi vijon të jetë po ai, pavarësisht purgatorit të 23 qershorit, morali i qeverisjes do të mbetet peng i së kaluarës me të vetmen zgjidhje parimore, zgjedhjet e parakohshme me një ligj të ri zgjedhor.
Rilindje përmes drejtësisë
Luajaliteti i qeverisë ndaj institucionit të opozitës, nuk duhet të sakrifikojë kauzën për drejtësi. Kauza e rilindjes është kauzë besimi, mbi të gjitha, se ligji është njëlloj për të gjithë. Vijimi me precedentët post 97 e 05 ku akuzat reciproke u konvertuan në flirtime paprincip, do të ishin fundi i iluzionit të rilindjes dhe prova se abuzimi veç riciklohet. Prezumimi i pafajsisë nuk është prezumim imuniteti për politikanët dhe sa kohë korbi korbit nuk ia nxjerr sytë, rilindja mbetet retorikë.
Sfida e qeverisë së rilindjes është sa konsolidimi i sistemit të drejtësisë po aq dhe fillimi i hetimit parlamentar për episodet me ndjeshmëri të veçantë. Nga shpërdorimet në infrastrukturë, Gërdeci, abuzimet zgjedhore, 21 janari, marrëveshja e ujërave etj. Kohezioni, paqtimi kombëtar dhe çlirimi nga makthet dhe komplekset e së shkuarës nuk vjen përmes trukimit të së vërtetës por lënies lirë të saj, pjesë e së cilës duhet të jetë dhënia fund e sagës së dosjeve të monizmit.
Ti fry
