E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat e qeverisë së re për pyjet e masakruara

Pyje-te-preraNga Mehmet Metaj

Vetëm duke shfrytëzuar burimet natyrore, Shqipëria do të siguroje një jetë më të mirë! (Sami Frashëri)

Shqipëria jonë mbetet ekonomikisht e mjerë edhe në këtë epokë krizash globale, me gjithë dy avantazhet historike sui generis, leva të zhvillimit që ajo ka: (i) pozicioni gjeografik dhe (ii) trashëgimia e burimeve natyrore.

Ajo mbetet ende vendi më i varfër i Evropës falë vandalizmave, keqpërdorimit dhe injorimit të tyre, dhe sidomos kontributit tonë permanent në shfarosjen barbare të burimeve natyrore, pa asnjë strategji kombëtare zhvillimi bazuar në këto burime.

Nga pasuritë tona natyrore kombëtare më të masakruara dhe të përçudnuara janë pyjet.

Po të bëjmë një bilanc krahasues me objektivat e qeverisë për tërë periudhën qeverisëse 8-vjeçare 2005- 2013, rezulton se jo vetëm që asnjë nga objektivat nuk është realizuar, por përkundrazi pyjet dhe burimet natyrore kanë pësuar përkeqësimin dhe shkatërrimin më të madh këtyre 20-viteve dhe sidomos pyjet dhe parqet kombëtare ku përveç shfarosjes barbare nga prerjet ilegale dhe kontrabanda e lëndës së drurit, druve të zjarrit dhe qymyrit, u dogjën dhe nga zjarret si dhe riviera bregdetare e zaptuar nga njerëz të pushtetit dhe me tagër PD-je.

I. Shifrat tronditëse për pyjet që kërkojnë zgjidhje emergjente janë:

1. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU) ka qenë burimi kryesor i dëmtimit, keqadministrimit dhe shfarosjes të burimeve natyrore të vendit.

Për 8 vjet shkatërroi pyjet, ujërat, lumenjtë, i bëri sehir përmbytjes së Shkodrës e Lezhës nga prerjet barbare të pyjeve dhe mungesa e investimeve për ripyllëzime në ujëmbledhësa.

MMPAU është në konflikt interesi, njëkohësisht ushtron funksione rregullatore-politikbërëse dhe menaxhuese, në vend që ajo të jetë një institucion me funksion vetëm rregullator-politik-bërës dhe kontrollues-monitorues i mjedisit.

2. Është shkelur ligji i pyjeve nr. 9385, datë 4.5.2005. Që nga viti 2005 me ligj duhet të krijoheshin drejtoritë rajonale në përputhje me qarqet (12) për të siguruar një reformë institucionale të plotë e të përputhur me organizimin territorial të vendit.

3. Priten ilegalisht nga pyjet rreth 2-2.5 mln m3/vit që nga viti 1996-2005, ndërsa vjelja e vlerës së dëmit të kundravajtjeve në pyje ka mbetur në nivelet 1-2 %. Policia Pyjore është inekzistente.

4. Asnjë investim në mbrojtjen e tokës nga erozioni, i cili mbetet më i larti në Evropë, 30-40 ton/ha/vit (?!!).

5. Janë zaptuar rreth 50 mijë ha territore në bregdet dhe zona të tjera me vlera të veçanta natyrore-turistike dhe biodiversiteti duke shkatërruar me vandalizëm pyllëzimet e zonës bregdetare, rivierën e vendit dhe rizortet turistike, që nga Velipoja (Shkodër) e Kune-Vaini (Lezhë), Patoku (Kurbin) e duke vazhduar në Gjirin e Lalëzit e Golem (Durrës), Divjakë (Lushnjë) dhe rivierën e Vlorë-Sarandës, etj, fenomen ky që vazhdon ende me gjithë kuadrin ligjor të miratuar, konventat e ratifikuara nga vendi i ynë. Dëmtim dhe shkatërrim i parikuperueshëm i zonave që janë bio-korridore të rëndësisë ndërkombëtare si masivi Dajt-Bizë-Martanesh, tjetërsuar PK-Lurë, PK-Bozdovec dhe u prenë shumica e kurorave të qyteteve.

6. Asnjë objektiv, program e investim për ripyllëzime, kur në Rio de Zhaneiro (RIO + 20, 1992- 2012, 13-22 qershor) u rimblodhën kryetarët e 100 shteteve dhe u mor angazhim- mbjelljen e 100 milion drurëve pyjore deri në 2017, tek ne nuk ka asnjë objektiv për mbjellje pyjesh dhe as dita simbolike e mbjelljeve në dhjetor nuk u bë dot.

7. Lulëzimi i kontrabandës së lëndës drusore dhe druve të zjarrit, ku nga 100 mije m3 që raportohen, janë prerë ilegalisht nga pyjet 2-2.5 mln m3/vit, dhe janë eksportuar kontrabande miliona metër kub dru zjarri dhe qymyr druri, duke shfarosur jo vetëm ato pak pyje të mbetur, por dhe parqet kombëtare dhe rezervat e pakta natyrore dhe turistike.

8. Përmbytjet biblike për shkak të prerje së pyjeve dhe zhveshjes së ujëmbledhësave. Nga prerjet e pyjeve në zonat e larta, kodrinore dhe malore, kanë ndodhur dy-përmbytje masive në zonat Shkodrës e Lezhës, kemi mbushje të baseneve ujëmbledhës të hidrocentraleve në masën mbi 30 % për rreth 40 vjet dhe ato po shkojnë drejtë skadencës (nga 100 vjet të parashikuara në projekt).

9. Pyjet komunale: Në një gjendje impasi dhe paaftësie për të mbrojtur dhe mbarështuar pyjet, qeveria me justifikimin se smund ti qeverisë dot pyjet me miratim të KM pas vitit 2005 gjeti zgjidhjen në formën më të papërshtatshme duke u dhënë 50 % (750,000 ha) të pyjeve dhe kullotave (250) komunave, por pa administratën teknike-menaxhuese. Këto pyje janë sot res nullius (pronë e askujt).

10. Djegia nga zjarret e pakontrolluar e rreth 10.000-15.000 ha/vit (sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit-Bruksel) me një vlere dëmi prej rreth 20 mln euro, ndërsa nga MMPAU janë raportuar 4.700 ha pyje dhe 1.400 ha kullota, dhe buxheti i shtetit nuk ka plan asnjë lekë për mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave nga zjarri dhe nuk ka më asnjë vrojtues-sinjalizues kur kanë qenë 350 të tillë deri në 2005-ën. U dogjën: Dajti, Lura, Bozdovesci, Tomorri, Llogara-Karaburuni, riviera bregdetare, Krasta e Krujës, etj.

II. Objektivat më prioritare-imediate për të rivendosur në normalitet pyjet dhe burimet natyrore janë:

1. Hartimin e legjislacionit të ri strikt, duke ndarë funksionet rregullatore nga ato menaxhuese dhe forcimi i strukturave për mbrojtjen e tyre.

2. Ringritjen e institucionit të pavarur, për menaxhimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave shtetërore në nivel qendror e lokal.

3. Strategjinë e re të zhvillimit të pyjeve dhe burimeve natyrore (pyje, kullota, ujëmbledhësa/ujara malore).

4. Moratorium 5-vjeçar për ndalimin e eksportit të druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit si dhe disiplinimi i gjuetisë.

5. Riinventarizimin kombëtar të pyjeve dhe kullotave dhe krijimin e Kadastrës Kombëtare.

*Drejtor Ekzekutiv, Qendra AlbaForest

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›