Një krim i rëndë në familje që vazhdon të shkaktojë viktima
Para pak ditësh, një krim i dyfishtë tronditi Tiranën.
Edmir Jazxhi qëlloi të shoqen me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas vrau edhe veten.
Por një krim kaq i rëndë nuk mund të kalonte pa pasoja.
Fillimisht u raportua se djali i tyre tentoi që të vriste veten kur pa prindërit e zhytur në një pellg gjaku.
Tani mësohet se kushërira e parë e Edmir Jazxhiut nuk e ka duruar krimin e rëndë dhe ka pësuar një trombozë, që e la të vdekur.
Viktima është Bruna Peshello, që ndërroi jetë pak orë pasi u kthye nga ceremonia mortore e dy viktimave.
I shoqi i saj, Fredi Peshello, tregon për Panoramën se ajo ishte shumë e lidhur me Edmirin.
U zgjova në mëngjes dhe shkova të punoj tokat. Brunën e lashë të flinte, sepse ishte pak e lodhur. Më ndjeu kur u çova dhe më tha që nuk ndjehej mirë ndaj dhe unë shkova në punë, por u ktheva pak më herët, sepse u shqetësova pak. Kur erdha në shtëpi, nëna ime më tha që ajo nuk ishte ngritur ende dhe shkova ta shoh. U përpoqa ta zgjoj, por kur e pashë në fytyrë ajo kishte buzën e nxirë. Menjëherë me urgjencë e çuam në Maliq dhe nga Maliqi e sollëm në Korçë, por ajo kishte ndërruar jetë.
Një ditë më parë kishte shkuar në Tiranë për të varrosur kushëririn e saj Edmirin dhe gruan e tij Dallëndyshen. Edmirin e kishte djalin e hallës. Pavarësisht ngjarjes, shkoi që ti jepte lamtumirën e fundit. U kthye vonë në mbrëmje dhe ishte shumë e lodhur, jo vetëm nga rruga, por më tepër edhe nga tronditja e asaj që ndodhi, thotë ai.
Sipas tij, Bruna e përjetoi tmerrësisht keq ngjarjen.
Ajo ishte shumë e lidhur me Edmirin dhe kur mësoi atë që kishte ndodhur, u shokua. Ishte diçka e papritur, por edhe e vështirë për tu besuar. Pastaj kur u kthye ishte edhe më e tronditur, të shohësh dy arkivolet e njerëzve të tu të afërt është e tmerrshme. Të mendosh që gjithçka ndodhi nga dora e njeriut tënd të afërt e bën më të rëndë çdo gjë./ep