Çmimi i hashashit: Nis në Lazarat me 350 euro dhe përfundon në Itali me 5 mijë euro
Shifra e 4.5 miliard eurove vazhdon akoma që të habisë edhe ekspertët. Italianët thonë se kaq kushton droga e Lazaratit, fshati që prodhon 900 ton në një vit.
Por si llogaritet një shifër e tillë? Gazeta Shqip sjell disa të dhëna.
Mësohet se çmimi për 1 kilogram me shumicë në Lazarat është mesatarisht 350 euro.
Personat që e nxjerrin këtë lëndë narkotike nga fshati marrin edhe ata një taksë dhe e shesin tek të tjerë tregtarë vendas për rreth 500 euro.
Më pas, grupet e mëdha, që kanë edhe mjetet e duhura, si skafe apo kamionë, e tregtojnë kryesisht në rrugë detare, por edhe tokësore hashashin në Greqi dhe Itali dhe e shesin te grupet italiane me një çmim rreth 800 euro. Këto grupe, pra italianët, arrijnë që ta përpunojnë dhe ua japin shpërndarësve me çmime më të larta për kilogramë, të cilat variojnë për nga cilësia. Mesatarisht, çmimi i hashashit në vende perëndimore, me pakicë, është rreth 5 euro 1 gram, pra 5 mijë euro kilogrami.
Madje, kërkesa për mall shqiptar është rritur dhe mund të paguhet më shtrenjtë.
Ndërkohë, çmimi në Shqipëri me pakicë i hashashit është disa herë më i ulët se në vendet perëndimore. Mësohet se një qese farmacie që ka mesatarisht nga 4 deri në 5 gramë shitet me një çmim 5 mijë lekë të vjetra./ep