Një luftë për Osetinë apo për naftën dhe gjeostrategjinë?
Duke u vënë gjithnjë e më shumë nën kupën e Moskës osetët zgjodhën një president dhe kryeministër dhe bënë rublën ruse si monedhë zyrtare të Osetisë së Jugut.
Në vitin 2002, qëllimet e Moskës në lidhje me rajonin u bënë më të qartë për analistët. Nënshtrimi i çeçenëve dhe marrja nën kontroll e këtij rajoni, u shoqërua me burgosjen e drejtuesve të JUKOS, njerëz që e kishin sjellë në pushtet Vladimir Putinin. Lindja e kompanisë gjigante “Gazprom”, e drejtuar nga Kremlini, tregoi se Moska i kishte hyrë një beteje të re strategjike, kontrollit të burimeve energjitike në Kaukaz.
Në këtë mënyrë ajo kontrollonte tregun e gazit duke bërë që Evropa Perëndimore të binte në varësinë ruse për sa i përket furnizimit me gaz natyror.
Shumë analistë e shohin arsyen e ndërhyrjes ushtarake të Moskës si një provokim dhe paralajmërim ndaj qeverisë së Tbilisit për aspiratat që ka për të hyrë në NATO. Ndërhyrja ushtarake ruse mund të interpretohet në këtë mënyrë: dërgimin e dy mesazheve të forta në adresë të Gjeorgjisë që të mos shkojë më tej me aspiratën e saj, dhe së dyti evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara që të mos prekin zonat e influencës gjeostrategjike të saj. Mesazhi është i thjeshtë, zonat e saj të influencës gjeostrategjike dhe burimet natyrore duhet të mbeten të paprekura.
Në Samitin e Bukureshtit, disa vende të NATO-s bënë një gabim strategjik për sa i përket politikës ndaj Rusisë. Franca dhe Gjermania, të cilat kanë marrëdhënie të mira me rusët, dhanë një përgjigje pozitive për hyrjen e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, duke miratuar Planin e Veprimit për hyrjen e këtyre vende në Aleancën e Atlantikut të Veriut por pa përcaktuar qartë se si do të veprohej më vonë me këto vende. Pra, një mjegull e plotë për sa i përket së ardhmes së Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO.
Qëllimi i planit në të vërtetë kishte më shumë qëllim t’i jepte Medvedevit, president i porsazgjedhur rus, një mundësi dhe kohë për t’i gjetur një zgjidhje diplomatike problemit të Osetisë dhe Abkhazisë.
Rusia nga ana e saj këtë akt të NATO-s e interpretoi si një akt dobësie, madje si një sinjal se ajo kishte rrugën e hapur për të kaluar në një aksion ushtarak në Kaukaz. Qëllimi i kësaj lufte, përveç mesazheve që mbart, bëhet për kontrollin e rrugëve të gazit dhe të naftës që prodhohen në rajonin e Kaukazit. Në këtë rajon të trazuar ndodhen rezervat dhe fushat e naftës së Detit Kaspik, të cilat duket se dalëngadalë po i shpëtojnë nga kontrolli Rusisë. Prandaj sot në konfigurimin gjeostrategjik këto territore të vogla kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, sepse lejojnë kalimin e tubave të gazit në Rusi, duke bërë që “Gazprom” të bëhet një nga gjigantët e energjisë. “Gazprom” prej dy vjetësh ndërton një naftësjellës që lidh Rusinë me Osetinë e Jugut pa lejen dhe marrëveshje me qeverinë gjeorgjiane. Të njëjtën manovër Rusia ka bërë edhe në Abkhazi, ku Gazprom negocion nxjerrjen e gazit dhe e eksporton në mënyrë “off shore” pa paguar taksa. Është e kotë të shtojmë faktin se në këtë zonë trafiku i gazit dhe naftës ka lulëzuar dhe është bërë një fenomen i zakonshëm.
Në anën tjetër të medaljes, në Abkhazi, evropianët, të mbështetur nga SHBA, kanë ndërmarrë paralelisht dhe në kundërshtim me rusët, një nismë për ndërtimin e një rruge përcjellëse të naftës dhe të gazit të quajtur BTC. Tubacionet e gazit dhe naftës që lidhin Bakune-Tbilisin-Ceyhanne, në Turqi anashkalojnë territorin rus dhe Iranin, duke shkëputur çdo vartësi energjitike ndaj tyre.
Tubacionet e BTC mbartin një rëndësi gjeostrategjike të madhe, sepse kjo rrugë e re lejon të anashkalohet Rusia dhe varësia prej saj, e cila deri në projektin e fundit kontrollonte plotësisht tranzitin e hidrokarbureve drejt Evropës nga krahinat ish-sovjetike.
BTC, i ndërtuar me miratimin e heshtur të Uashingtonit, shihej si një rrugëzgjidhje afatgjatë, në momentin kur evropianët u ndeshën me rritjen e çmimit të gazit në vitin 2004, dhe u detyruan të paguanin 2 herë më shumë çmimin e gazit.
Duke u nisur nga Baku, kryeqytet i Azerbajxhanit, i kthyer në një aleat i rëndësishëm i SHBA pas 11 shtatorit, BTC mbaron në portin e madh të Ceyhan në Turqi. Me një gjatësi prej 1774 km, ai bëhet një nga gazsjellësit më të gjatë në botë.
Më 4 qershor, anija e parë që u nis nga ky port në drejtim të Italinë bëri që çmimi i gazit dhe naftës që vinte nga Deti Kaspik të pësonte një rënie të madhe të çmimit që kishte fiksuar “Gazprom”.
BTC është konceptuar në mënyrë të tillë që për 40 vitet e ardhshme të furnizojë me 50 milionë tonë naftë dhe dyfish me gaz evropianët, pa marrë parasysh që Kazakistani muajin e kaluar iu bashkua këtij projekti duke premtuar një sasi nafte prej 20 milionë tonësh në vit. Në të vërtetë, lufta midis Gjeorgjisë dhe Rusisë nisi de facto në datën 5 gusht, kur në BTC ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili nuk ishte shuar ende në datë 8 gusht, kur nisi lufta. Ndërmarrja që ka në dorë dhe mirëmban infrastrukturën e gazsjellësit me një kontratë prej 4 miliardë dollarësh, përbëhet nga kompani të fuqishme nafte si “British Petrolium” me 30% të aksioneve, ENI italian me 5%, total 5%, Unocal 9%, Itochu 4% duke bërë që gazsjellësi të jetë në zotërim amerikano-evropian. Në fund mund të themi që lufta për Osetinë dëshmon se tashmë ka filluar lufta e hapur për të zotëruar rezervat natyrore, pa të cilat ekonomia botërore do të ndodhej në një kaos ende më të madh se sa gjendet sot. Ekuilibrat gjeostrategjikë po ndryshojnë dhe me të po ndryshon edhe natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Autori është ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i diplomuar në Universitetin Paris 8