Lul Basha mbron njeriun e Klanit të Zemunit pranë Berishës
Pas botimit të shkrimeve investigative për sekserin e mafies ballkanike, Damir Fazlliç, njeriu që qëndron pas shumë prej lëvizjeve lobuese të qeverisë ‘Berisha’ prej vitit 2005, miku i rubrikës sonë, Flamuri, vendosi të rrëfehet. I egërsuar, por dhe i qetësuar nga fakti se i kishin dalë gjithë dyshimet që ka pasur për atë tip, Flamuri thirri me urgjencë Lul Bashën për t’i kërkuar sqarime.
- Të kam thënë, mo ta shoh më atë pis këtu rrotull, po ti vazhdon të ma biesh këtu me atë kunatin tënd. Shiko ç’na bëre tani. Dhe këto akuza kishim mangut ne.
- Prit, qetësohu, - i tha Luli, - se nuk është bërë kiameti. Gazeta “TemA” i ka botuar. Doktori në këtë rast nuk është se ka reaguar keq. Përkundrazi, e shikon si rast të mirë për ta pastruar Damirin nga akuzat. Ti e di që kë sulmon “TemA”, ecën përpara në qeverinë tonë. Nuk e di pse alarmohesh kot në këtë rast.
- Nuk kam hallin e “TemA”-s unë, po hallin tim. Se unë i kam paguar paratë këtij pisit. Se doktori mi rras mua këto punët e vështira, po unë kam firmosur. I kam dhënë 1 milion euro pa dokumente. Na tha “bëheni marrëveshjen me BG&R për 500 mijë” dhe na u desh t’i paguanim 1,5 milionë euro. Unë e di ç’kam hequr dhe ia kam nxjerrë në Maqedoni me thasë lekët. Po të më kishin kapur, kisha shkuar për lesh. Dhe ky pis kam frikë se i ka marrë të gjitha për vete. Se ata amerikanët e tjerë dukeshin si leshko. Donin vetëm dieta te “Sheraton”-i dhe pije te “Living Room”.
- Le, mos iu fut atyre muhabeteve, se s’ka rëndësi. Ashtu veprohet në fushata. Por mos u shqetëso për këto sulmet, se ti e di, nuk na prishin punë.
- Jo o zotëri, se ty nuk të prishin, po mua po. Se kam dhënë pará cash për atë unë. Po më doli, shkoj unë në gjyq, jo ti. Se janë ca gjëra që nuk bëhen. Se kanë të drejtë ata për këtë tipin. Ky mashtrues ka qenë që në fillim. Dhe në fushatën e Sokolit na mashtroi. Mashtroi atë burrin, se unë s’e qasja në zyrë. Donte pará për çdo gjë, pa bërë asnjë punë. Na kishte sjellë me Neritan Sejaminin ca mashtrues për fushatë dhe na morën 300 mijë euro kot. Dhe, kur ua vonova unë, filluan na sulmonin. Ai Neritani madje çoi dhe shkrimin kundër Sokolit te “Shekulli”. I thashë atij burrit, ta zhdukë nga Kryeministria, por “jo tha, nuk e besoj që e ka bërë”. Mirë që është bindur tani. Dhe nga ky i kemi gjithë ata mashtrues.
- Nejse, nuk është tamam kështu, - i tha Luli. - Se Olldashi nuk fitonte dot me Ramën. S’ka pse akuzon këta për fushatën negative. Unë vetë nuk di gjë se ç’kanë bërë tamam, por di që Damiri u përpoq ta ndihmonte, se i botoi dhe fotot e Edi Ramës lakuriq në Bosnjë.
- Lëre mo çfarë botoi. Gënjeu atë burrin, pa di unë ç’i bëj. Është mashtrues i paparë. Pa le kur i kishte mbushur mendjen atij burrit që është dhe anëtar i Wikipedia-s. Atje ku bëhet anëtar çdo njeri. Është mashtrues i paparë. Po ti e ke fajin, se ti na e ke mbajtur nëpër këmbë.
- E ke gabim, dëgjo mua, e ke gabim. Mua, kur isha ministër, ma dha doktori ta negocioja për Telekomin. Pastaj hetuam se drejtori i Telekomit po vidhte në trafikun ndërkombëtar dhe vendosëm që Damiri ta kapte me informacionet që kishte nga jashtë. Në fakt, ai nuk e kapi dot, se ndoshta dhe nuk vidhte ai drejtori, Ilir Kuko, kot i binim më qafë. Se dhe Damiri më në fund e bëri shumë mik, dhe pse doktori i thoshte “hetoje si vjedh”. Dhe në kontratat e rrugëve, dhe në fushën energjitikës, Damiri ka dhënë kontribut. Na ka gjetur investitorë të huaj.
- Lëre mo ç’ka gjetur ai mashtrues, po mo ta shoh më këtu, se na nxive jetën. Si nuk solle një njeri të saktë mor burrë në këtë parti. Të gjithë mashtrues na i sjell. Nejse, s’ke faj ti, ç’t’i bëj atij burrit që s’më dëgjon mua, pa ia tregoja unë qejfin atij pisi.
- E ke gabim. Ti ke mendimin tënd, por e ke gabim. Kështu e kanë akuzuar dhe në Bosnjë, dhe në Kroaci, dhe në Serbi, por ai nuk çan kokë. Mos bjer pre e gazetave. Unë e njoh mirë atë, është njeri i aftë.
- I aftë është, i aftë. Na rropi të gjallë dhe tani na nxiu dhe faqen. Na nxori të lidhur me gjithë mafien ballkanike dhe Klanin e Zemunit, që e kishim simbol të luftës sonë në opozitë.
- E këtë nuk e dija, se nuk kam qenë atëherë këtu.
- E di mo, e di që nuk ishe, po pse na e solle, se ne iu kishim thënë shqiptarëve që e kemi këtu Klanin e Zemunit, në pushtet. Kurse ti na e solle nga Serbia dhe na e rrase ne.