E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një partiturë e panjohur e Mozartit luhet për herë të parë në Salcburg

SALCBURG - Një partiturë për piano nga Wolfgang Amadeus Mozart (1756-1791), krejtësisht e panjohur deri më tani, u prezantua dhe u luajt për herë të parë dje në Salcburg, në shtëpinë ku jetoi kompozitori austriak dhe familja e tij.

"Kjo 'Allegro molto' për piano, një lloj sonate prej 84 masash dhe me një kohëzgjatje për disa minuta, u kompozua nga Mozarti rreth periudhës 1767-68, kur ai ishte 11 vjeç dhe u gjet në një fletore, që mbante datën 1780", deklaroi gjatë një konference shtypi muzikologia, Hildegard Herrmann-Schneider.

"Shkrimi i emrit, 'Del Signore Giovane Wolfgango Mozart', është tepër i saktë", tha Ulrich Leisinger, drejtor i Departamentit të kërkimeve të Fondacionit Mozarteum, që bindi ekspertët e Salcburgut se bëhej fjalë për një kompozim të gjeniut të ri, edhe pse shkrimi nuk është as i Mozartit, as i të atit të tij, Leopoldit, por është i një të afërmi.

"Ky emër njihet deri më tani si i përdorur vetëm nga i ati, kur ai shënonte emrin e të birit në partiturat", theksoi Hildegard Herrmann-Schneider.

Pjesa u ekzekutua nga pianisti austriak, Florian Birsak, në pianoforten e Mozartit, që ndodhet në sallonin e kërcimit në shtëpinë familjare të kompozitorit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›