Një pushtet që duhet çmontuar
Viron Bezhani/nënkryetar i LSI, Tiranë
-Z. Berisha ka arritur të përqendrojë tërë pushtetet në duart e tij. Pra ai ka arritur të ketë në dorën e tij të katër pushtetet. Kjo është e dukshme. Madje arriti de facto që të shtijë në dorën e tij dhe Presidentin e vendit. Kështu realisht, deri tani ka në dorë edhe Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve, si dhe gjykatën zgjedhore. Pikërisht se i ka të gjitha pushtetet në duart e tij, ai vazhdon të pretendojë fitoren dhe në zgjedhjet e 2013-ës. Madje, se i ka në dorën e tij të gjitha pushtetet, “vret e pret” si të dojë. Ndaj dhe arriti që të ndodhë vrasja e katër protestuesve më 21 Janar. Nuk thotë kot populli ynë që: “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”. Kjo do të thotë së z. Berisha, edhe në këto zgjedhje, ka të ngjarë të përsëritë modelin e vitit Nëntëdhjetë e shtatë, megjithëse përvoja më e madhe e z. Berisha është 21 janari, kur u vranë 4 njerëz, krejtësisht të pafajshëm. Faji më i madh i tyre ishte se kishin dalë në protestë paqësore. Dhe dalja në protestë paqësore u kushtoi jetën. Fatkeqësisht dhe “loja politike” midis dy partive nuk ka qenë lojë politike, por,” luftë” midis dy krerëve e midis dy palëve, konflikt që arrin kulmin deri në fyerje për njëri-tjetrin, duke sulmuar dhe të vdekurit në varre. Sigurisht, Njëshi i PD-së mbante “flamurin” duke fyer kë t’i dilte përpara.
Mendimet dhe pikëpamjet ndryshe janë progres e zhvillim në kushtet e pluralizmit politik. Njëherazi nuk kemi pse të ndajmë popullin shqiptar, në popull i majtë e popull i djathtë. Konceptime të tilla i kanë vetëm mendjet e çoroditura dhe politikanët karakteropat, apo politikanë individualist që duam vetëm veten. Tani më tha një miku im ka ardhur një kohë që politikanët duan më shumë qentë “e dorës”, se sa të duan njëri-tjetrin, politikani-politikanin, apo njeriu-njerinë. Të mos harrojnë se jeta e njerëzimit është ekuilibër, ndërsa politika është pjesë e jetës. Prishja e ekuilibrit është prishja e jetës në shoqëri. Bashkëpunimi i LSI me Partinë Socialiste është një koalicion, që ka marrëveshjen dhe mirëkuptimin e konsensusin midis tyre. Këtë e kërkojnë kushtet e zhvillimit të shoqërisë dhe rritja e mirëqenies së jetës së shqiptarëve dhe zhvillimit të Shqipërisë, duke shpejtuar integrimin në Europë, dëshirë aq e dashur për gjithë shqiptarët dhe dëshira e studentëve të dhjetorit 1990. Bashkëpunimi i politikanëve është një domosdoshmëri për zhvillimin dhe për integrimin e Shqipërisë në BE.
Ardhja e së majtës në pushtet do të sjellë një rotacion politik normal, për të vendosur ekuilibrat e duhura në një shtet që deri tashti ka qenë i njëanshëm e partiak.