Është bukur të jesh grua!
Nga Raimonda MOISIU
Me hapjen e shoqërisë shqiptare ndaj zhvillimeve demokratike, lindi domosdoshmëria e njohjes të rolit të femrës në shoqëri dhe nga vetë faktorët e aktorët e shoqërisë, sepse nuk mund të flitet për progres, pa njohjen e dinjitetit të saj si përfaqësuese e gjinisë femërore me brishtësinë, mençurinë dhe origjinalitetin e saj të zakonshëm dhe njerëzor. Sfidat dhe në të njëjtën kohë potencialet e burimeve dhe marrëdhënieve njerëzore më të rëndësishme të jetës social-ekonomike politike të një shoqërie demokratike kanë të bëjnë me statusin e grave, identifikimin e zbrazëtirave aktuale sociale, qytetare e intelektuale, si edhe mundësitë e mundshme në promovimin dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën e përditshme, promovimin e barazisë gjinore, vëmendjen e duhur dhe mendimin e maturuar të shoqërisë civile me të gjitha atributet njerëzore e intelektuale. Mendoj se në mentalitetin tradicional të shoqërisë shqiptare ndaj grave, aspekti kyç në matjen e kushteve ku ato kanë jetuar apo vazhdojnë të jetojnë sipas statistikave gjatë viteve, – është shkalla e ulët e punësimit të tyre, arsimimi, analfabetizmi dhe politika të pakta që nuk e kanë favorizuar përfaqësimin e tyre në jetën social-ekonomike e politike. Mirëpo gratë shqiptare, ambicioze për të kaluarën në balancë me të tashmen dhe qartshëm me të ardhmen, çdo ditë që vjen e ikën, i gjen më të pjekura dhe të emancipuara. Në dekadat e fundit ka pasur një rritje të numrit të grave të mobilizuara në jetën social-politike, prirje kjo që ka përkuar me promovimin e vlerave të shtresës sociale nga ato vijnë e i përkasin. Në rast se ne vlerësojmë gjendjen dhe momentet e jetës së përditshme dhe dimensionit relativ të statusit të grave shqiptare, na duhet të theksojmë se ato tashmë kanë shpërthyer kornizat e të menduarit e të vepruarit tradicional, e thonë fjalën e mendimin e tyre lirshëm, pra, ato kanë fituar dukshëm lirinë e fjalës dhe të vepruarit. Veçmas gjatë dekadave të fundit, falë vlerës e kontributit të tyre determinant për ndryshim, është bërë progres duke i dhënë prioritet arsimimit dhe aftësimit profesional të tyre në atë masë sa ato sot përfaqësojnë integritetin e tyre gjinor, si pedagoge në universitete,juriste, shumë aktive në sektorë të ndryshëm social-ekonomikë kulturorë e publikë dhe pozicioneve politike. Dhe jo vetëm kaq, por ato synojnë edhe më tej të promovojnë barazi më të mëdha, nëpërmjet aktiviteteve programore dhe në mënyrë efektive të integrimit gjinor me pjesëmarrjen e tyre në proceset demokratike dhe jetën e përditshme sociale. Këto arritje kanë favorizuar vetëdijen dhe ndërgjegjësimin njerëzor, një dinamikë reformuese të pakrahasueshme dhe ndikimet pozitive në inicimin e një procesi që sa vjen e po shkëputet nga ligjet mesjetarë të diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të grave. Megjithatë, pavarësisht nga progresi i dukshëm dhe mundësive të reja që ofrohen, ka ende pabarazi.
Nga ky këndvështrim, si edhe nga vlerësimet dhe sensibilizimi i organeve të ndryshme, nga institucionet shtetërore, forumet kombëtare e ndërkombëtare, shoqatat civile dhe organizatat jo qeveritare, nga media apo hartimi i reformave dhe paketave ligjore, kodit të familjes, duhet të bëhet akoma më shumë. Bindja se mundësitë e barabarta për të dy si për burrin edhe gruan, mbetet gjithmonë një temë transversale që ndikon jo vetëm në përmirësimin e gjendjes dhe mirëqenies ekonomike, por edhe zhvillimit njerëzor të aspekteve të tjera të jetës dhe faktorëve determinuesë për të drejtat e grave, garancia për të Drejtat e Njeriut dhe zhvillimin demokratik, si mjet për një shoqëri më të bashkuar e të konsoliduar në demokratizmin e shoqërisë e vendit. Barazia ndërmjet burrit dhe gruas është një nga temat më të rëndësishme, është pika e parë e kontributit makroekonimik, për të arritur zhvillim të qëndrueshëm, qasje të grave në trajnime profesionale, arsimimin e tyre, pjesëmarrjen në jetën kulturore me potencialet e aftësisë dhe promovimit të talentit të tyre, mjete këto për të përmirësuar mundësitë e punësimit, konkurrencës dhe qytetari aktive. Përveç reflektimeve të shumta, lëvizja e grave ka fituar forcën në përmirësimin e kuadrit ligjor për drejtimin e OJQ-ve, njohjen e rolit të punës e kontributit të tyre social- ekonomik e politik, duke e qartësuar ndjeshëm se shoqëria civile është shtysë e madhe për përparimet shoqërore të cilat janë të integruara me politikat shtetërore dhe demokratizimin e vendit. Rëndësia e përfshirjes së shoqërisë civile me njohuri, iniciativa, veprime dhe rekomandime strategjike dhe kontributet ekzistuese në nivel kombëtar ndikojnë në mobilizimin e grave mes të bukurës e të përditshmes njerëzore. Për natyrën e femrës në kohëra thuhet se kërkohej të njihej universi, të fshehtat e botës. Homeri e Platoni u futën në natyrën e femrës, por ishte filozofi Aristoteli, që ka ndikuar më shumë, për të mos thënë në mënyrë absolute, mendimin e njerëzimit deri në ditët e sotme. Ai u bë baza e mendimit të Biblës e Kuranit, të despotizmit mesjetar të kanuneve dhe ligjeve, që të trajtojnë femrën. Unë mund të shkruaj edhe më shumë të vlerësoj atë çka është arritur, gjurmët e forta që gratë shqiptare po lenë në emancipimin e kohës, integritetit të tyre gjinor, intelektual e qytetar dhe shoqërisë shqiptare. Ajo çka gratë vlerësojnë shumë pozitivisht sot për sot janë arritjet e tyre, por edhe apelojnë për të përforcuar rolin e tyre, promovimin e barazisë gjinore dhe ndaljen e dhunës fizike, sociale dhe diskriminimin e të drejtave të tyre.
Promovimi i statusit human, qytetar, intelektual e njerëzor i grave ka një domethënie të rëndësishme për vetë vlerat dhe integritetin që gratë shqiptare kanë e duhet të zënë në shoqërinë demokratike. Është e nevojshme dhe domosdoshmëri për të identifikuar, për të mbështetur, dhe për të përforcuar nismat civile, kombëtare e lokale që favorizojnë praninë dhe rolin e kërkesat e grave, pjesëmarrjen e tyre në jetën social-ekonomike-politike kulturore, të zbutim shpirtrat, të ulim dorën që ngrihet ndaj grave, familjes, të kthjellojmë mendjen e të ruajmë vlerat e familjes e të shmangim anomalitetet, se vetëm kështu do të transformojmë shoqërinë. Është bukur të jesh grua! Dashuroni karakterin dhe idealin e saj njerëzor për jetën. Gruaja simbol i ardhmërisë, gruaja mban çelësin e portës së jetës, i rigjenerimit të brezave, gruaja shpresa e botës, natyra, imazhi, virtytet e tributet, kontributi i saj i çmuar, – janë sfidat dhe potenciali i saj njerëzor, vlera të shëndetshme e të mençura për familjen dhe shoqërinë.