E Diel, 1 Nëntor 2026

“Një qendër votimi për 1000 zgjedhës, jo qendër votimi nën 200 zgjedhës”

02-12-2012 / Gazeta 55

Zgjedhjet 2013/ Flet Ferdinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm

Qendrat e votimit në zgjedhjet e qershorit të 2013 do të kenë një numër të kufizuar zgjedhësish në mënyrë që procesi të menaxhohet sa më mirë. Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni deklaron se asnjë qendër votimi nuk do të ketë më shumë se një mijë zgjedhës dhe më pak se dy qind.
Sipas tij përjashtim në këtë rast do të përbëjë vetëm kryeqyteti, i cili për shkak të rregullave që përcaktohen edhe në kodin e ri zgjedhor për identifikimin e zgjedhësve, do të kenë një numër më të kufizuar votuesish për çdo qendër votimi. Zëvendësministri Poni kërkon edhe bashkëpunimin e të zgjedhurve vendor për këtë çështje.
“Nuk do ketë më qendra votimi nën 200 zgjedhës dhe nuk do ketë qendra votimi mbi 1000 zgjedhës. Ndërsa për Tiranën për shkak të identifikimit nëpërmjet dokumenteve të identitetit qendrat e votimit nuk do të jenë më të mëdha se 700 zgjedhës. Këto detyra bëhen me të zgjedhurit vendor. Ata duhet ta përditojnë atë dhe ta kenë të gatshëm në afatet që Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përcakton”, tha Poni.
Ndërkohë në listën e zgjedhësve janë shtuar filtrat për kapjen e dublimeve. Poni shprehet se për procedurat që do të ndiqen për heqjen e dublimeve të mundshme është edhe dakortësia e ekspertëve të Partisë Socialiste.
“Jemi përpjekur të kemi një filtër shumë rigoroz për gjetjen e dublimeve. Kemi shtuar kriteret e kapjes. Këtë punë po e bëjmë së bashku”, tha Poni.
Konfirmimi i datës zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve pret tashmë vetëm dekretin e presidentit të republikës, i cili ka lënë të kuptohet se kjo datë do të jetë 23 qershori i ardhshëm për shkak edhe të dakortësisë së forcave politike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›