“PD drejt mandatit të tretë qeverisës, mbajti premtimet”

Deputeti i PD, Edi Paloka
Votimi i tre ligjeve edhe 1 ditë para datës 20, do shërbente si vulë për statusin
Kur kanë mbetur më pak se 3 javë nga mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE në Bruksel, mazhoranca deklaron se klasa politike ka ende kohë për miratimin e 3 ligjeve të statusit. Kësisoj, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka pavarësisht rezervave lidhur me qëndrimin e PS dhe lidershipit të saj për zvarritjen e ligjeve me shumicë të cilësuar, ai vlerësoi se votimi i tyre qoftë edhe një ditë para 20 dhjetorit do të shërbente si vulë vendimtare për fatin e statusit të Shqipërisë në BE.
“Sfida më e afërt në këtë 100 vjetor të dytë është marrja e statusit. Janë bërë dhe përpjekje dhe jo pa rezultat faktikisht. Deri sa Rama ka këtë pozicion të paarsyeshëm edhe për ndërkombëtarët, po merret parasysh që ti jepet Shqipërisë statusi edhe pa realizimin e këtyre kushteve, Kryeministri slloven dje e shprehu këtë pozicion, e kanë shprehur dhe të tjerë. Megjithatë deri diku është një mision i pamundur pasi KE ka rregulla të qarta dhe strikte, nuk e ka menduar kurrë se mund të ndodhte kjo. Por derisa një pjesë vendeve të BE janë gati dhe premtojnë që do përpiqen ti japin statusin Shqipërisë edhe pa miratuar fare ligjet, natyrisht nëse këto miratohen, sikur edhe një ditë para do të vendoste vulën për statusin”, tha ai.
Deputeti demokrat deklaroi se statusi është kthyer në një betejë elektorale për partitë, në mënyrë të veçantë për PS, ndërsa theksoi se dështimi në marrjen e tij do të ishte një dëm i madh për politikën dhe në mënyrë të veçantë për xhepat e çdo shqiptari. Sa i përket “mollës së sherrit” që ngriu konsensusin mes palëve, këshilli i qarkut të Fierit, deputeti i PD tha se partia e tij dhe lidershipi i saj e ka bërë të qartë verdiktin e saj, nuk ka alternativë tjetër.
“Alternativa është bërë e qartë dhe publike nga mazhoranca, kur u është treguar rruga që duhet të ndiqet. Berisha i ka thënë Ramës që nëse do të zgjidhë çështjen e Fierit të kryejë këtë formalitet konform Kushtetutës. Rama vazhdon të kërkojë pushtet në tavolinë. Ai vazhdon të mendojë se do të fitojë politikisht përmes statusit, por në fund do ta pësojë vetë në 2013. Ai se kupton se në këtë pjesë ne vetëm përfitojmë si parti nëse ai nuk i voton ligjet. Statusi është kthyer në një betejë elektorale, por nëse e shohim tek xhepi i çdo shqiptari janë miliona e miliona euro që s’do tu hyjnë në xhep vetëm nga ky qëndrim i Ramës”, deklaroi Paloka.
Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ai tha se PD shkon tek qytetarët me platformën e zhvillimit. Sipas tij, gjatë 2 mandateve qeverisëse, Partia Demokratike ka mbajtur premtimet.
“Besimi ndaj kësaj force politike duhet të jetë i plotë, çfarë premtuam e mbajtëm, sigurisht kërkesat e njerëzve janë të vazhdueshme. Ajo që mund të ndryshojë situatën pas 8 vjet në pushtet janë interesat e vogla personale, kjo mund ta vështirësojë pak një zgjedhje të tretë. Por kjo është e riparueshme, mund të ulemi me këta njerëz të bisedojmë. PD është një parti që ka 121 mijë anëtarë, vende pune me gjithë Bashkinë janë 80 mijë, mendo se ku do ti fusim vetëm anëtarët e PD kur këto janë mundësitë dhe kushtet. Ka pretendime ndër më absurdet. Unë hyj tek ajo pjesë që mendoj se duhet vlerësuar puna e militantëve në varësi të nevojave, kontributeve dhe cilësive që kanë. Me rëndësi është që të punojmë me këta njerëz. Por fundja e fundit mjafton edhe një pyetje e tipit “do prisni të zgjidhni problemet kur të vijë Rama?”, deklaroi më tej ai.