Një qytet fantazëm (a do ndodhë kështu tek ne?) (FOTO)
Edhe pse kryeministri Sali Berisha lavdërohet se shqiptarët kanë kaluar disa vende të BE për numrin e shtëpive në pronësi, sërish është fakt se në Tiranë ka mijëra apartamente të pashitura. Megjithatë ndërtuesit vazhdojnë e ndërtojnë, duke përdorur më së shumti kleringun si formë shkëmbimi.
Por ndërsa tek ne sheh pallate me shumë pak hyrje të banuara, në Spanjë ky qytet fantazëm ishte projektuar të mbante së paku 30 mijë banorë.
Të kuptohemi, në Spanjë e gjithë infrastruktura është e rregulluar për mrekulli dhe jo si pallatet e Tiranës që ngulen ku të mundin, pa pasur asnjë kriter.
Qyteti Valdeluz u ndërtua pranë kryeqytetit spanjoll, por për fat të keq qëlloi periudha e krizës së ndërtimeve dhe tani aty jetojnë vetëm 1 mijë banorë.
Mes viteve 2001 e 2007, Spanja përjetoi bumin më të madh të ndërtimeve në Europë, ndërsa çmimet rriteshin çdo vit me 13 përqind.
Qeveria thotë se janë 780 mijë shtëpi të ndërtuara që prej vitit 2005, që nuk janë shitur.









