Një rast për teatrin në shërbim të njerëzimit
Takimi i sotëm është një reflektim i vërtetë mbi potencialin e pafundmë që ka teatri për t’i mobilizuar bashkësitë dhe për t’i sheshuar dallimet.
A e keni marrë ndonjëherë me mend se teatri mund të jetë një mjet i fuqishëm për paqe dhe pajtim? Ndërsa shtetet shpenzojnë shuma marramendëse parash në misione paqeruajtëse në zona të konflikteve të dhunshme të botës, fare pak vëmendje i kushtohet teatrit si një alternativë e drejtpërdrejtë për transformimin dhe menaxhimin e konfliktit. Si munden qytetarët e botës ta arrijnë paqen universale kur instrumentet e përdorura vijnë nga fuqi të jashtme dhe me sa duket represive?
Teatri e përmbush pak nga pak shpirtin e njeriut të pushtuar nga frika dhe dyshimet, duke ia ndryshuar imazhin rreth vetvetes - dhe duke e hapë një botë të mundësive për individin, e prandaj edhe për bashkësinë. Ai mund t’u japë kuptim edhe realiteteve të përditshme duke e parandaluar një të ardhme të pasigurt. Mund të përfshihet në politikën situatave të njerëzve në mënyra të drejtpërdrejta e të thjeshta. Duke qenë përfshirës, teatri mund të përfaqësojë një përvojë që mund t’i transhendojë keqkuptimet e besuara më parë. Veç kësaj, teatri është mjet i dëshmuar i avokimit dhe i avancimit të ideve që ne kolektivisht i besojmë dhe për të cilat jemi të gatshëm të luftojmë kur të na shkelen.
Në mënyrë që t’i paraprijmë një të ardhmeje paqësore, duhet të nisim duke përdorë mjete paqësore që kërkojnë të kuptojnë, të respektojnë dhe të njohin kontributet e secilës qenie njerëzore në ndërmarrjen e krijimit të paqes. Teatri është ajo gjuha universale nëpërmjet të cilës mund t’i avancojmë mesazhet e paqes dhe të pajtimit.
Duke i përfshirë pjesëmarrësit aktivisht, teatri mund të tubojë shumëkënd për t’i dekonstruktuar perceptimet e besuara më parë, dhe kësisoj ai i jep individit një mundësi të rilindjes në mënyrë që ky të bëjë zgjedhjet duke u bazuar në njohuritë e sapozbuluara dhe në realitet. Në mënyrë që teatri të lulëzojë, krahas me format e tjera të artit, duhet të bëjmë hapin e guximshëm përpara duke e përfshirë në jetën e përditshme, duke u marrë me çështje kritike të konfliktit dhe të paqes.
Në ndjekje të transformimeve sociale dhe të reformimeve të bashkësive, teatri ekziston tashmë nëpër zonat e dëmtuara nga lufta dhe ndër popullatat që vuajnë nga skamja kronike ose nga sëmundja. Ka shumë tregime të suksesshme ku teatri ia ka dalë ta mobilizojë publikun për ta ngritë vetëdijen dhe për t’u asistuar viktimave të traumave të pasluftës. Platformat kulturore sikurse është “Instituti ndërkombëtar i teatrit” i cili synon “ta konsolidojë paqen dhe miqësinë ndërmjet njerëzve” tashmë janë të vendosura.
Prandaj është e pakuptimtë që të heshtim në një kohë si kjo e jona, me njohurinë që kemi për fuqinë e teatrit, dhe t’i lëmë përdoruesit e armëve dhe hedhësit e bombave që të jenë paqeruajtësit e botës sonë. Si ka mundësi që mjetet e ndarjes të kthehen në instrumente të paqes dhe të pajtimit?
Sot, në këtë Ditë Botërore të Teatrit, unë ju nxis të mendoni rreth kësaj mundësie dhe ta përkrahni teatrin si një mjet universal për dialog, transformim social dhe reformë. Ndërsa Kombet e Bashkuara shpenzojnë shuma marramendëse parash në misione paqeruajtëse anekënd botës, duke përdorë armë, teatri është një alternativë spontane, njerëzore, më pak e kushtueshme si dhe larg më e fuqishme.
Ndonëse mund të mos jetë e vetmja përgjigje për ta sjellë paqen, teatri duhet të përfshihet patjetër si një mjet efektiv në misionet paqeruajtëse.
Mesazhi i Jessica A. Kaahwa nga Uganda, shkruar për "Ditën Botërore të Teatrit – 2011".