E Diel, 1 Nëntor 2026

Një sistem universitar i hapur për një shoqëri të hapur

FATOS TARIFA

Arsimi i lartë në një shoqëri të hapur
Një shoqëri e hapur dhe një treg i lirë nuk janë vetëm për sipërmarrjet ekonomike, sektorët e shërbimeve dhe mediat, por për cilëndo sferë apo sektor të veprimtarisë shoqërore, përfshirë edhe arsimin dhe edukimin e brezit të ri, në të gjitha nivelet.
Në SHBA arsimi i lartë nisi me krijimin, në vitin 1636, të një universiteti privat (Universiteti i Harvardit) dhe, po kështu, të teta universitetet elitare amerikane që përbëjnë të ashtuquajturën Ivy League (të njohura ndryshe si Ancient Eight), janë universitete private. Pas tyre u krijuan një varg universitetesh publike, i pari ndër të cilat ishte Universiteti i Karolinës së Veriut, në Chapel Hill (1789), prej nga autori i këtyre radhëve ka fituar PhD-në e tij në fund të viteve 90.
Në SHBA dhe në vende të tjera, nxënësve dhe studentëve u mundësohet jo vetëm që të arsimohen në shkolla dhe universitete private, por, ligjërisht, deri në mbarim të shkollës së mesme, u lejohet të arsimohen edhe në familje, në institucionin më privat të shoqërisë, nga prindërit e tyre ose nga tutorë, përmes atij sistemi që njihet si homeschooling, ose home education. Pas shkollimit në familje, një pjesë e madhe e tyre ndjekin studimet e larta në universitete private, përfshirë edhe ata të Ivy League, si edhe në akademitë ushtarake të Amerikës.
Tendenca e sotme në fushën e arsimit dhe të shkencës në një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më shumë shoqëri e dijes (knowledge society) është demokratizimi i vazhdueshëm i krejt sistemit të prodhimit dhe të diseminimit të dijes, çka nënkupton edhe masivizimin dhe lirinë e zgjedhjes nga studentët (dhe prindërit e tyre) të llojit të institucionit të arsimit të lartë (shtetëror apo privat) në të cilin ata dëshirojnë të arsimohen. Këtë tendencë dhe frymë demokratizuese shpreh edhe nisma e shpallur tri javë më parë (2 maj 2012, nga dy prej universiteteve më të mira në SHBA dhe në botë, Universiteti i Harvardit dhe MIT për krijimin të një organizate të quajtur edX, e cila do të ofrojë kurse dhe diploma online për studentë nga e gjithë bota. Këtë sipërmarrje të re, Harvardi dhe MIT e shohin si një mundësi dhe si një alternativë komplementare, jo si një kërcënim për universitetet dhe kolegjet e tjera.
Dikotomia e munguar
Në Shqipëri, shumë nga problemet dhe defektet e sistemit të arsimit të lartë ua veshin padrejtësisht universiteteve private. Krijimi i tyre gjatë dhjetëvjeçarit të fundit shihet nga disa njerëz si një dukuri negative kur, në fakt, ekzistenca e tyre është një e mirë publike e madhe. Problemet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe e keqja e sistemit arsimor te ne nuk vijnë nga shtrirja dhe zgjerimi i sektori privat në fushën e arsimit të lartë. E keqja qëndron, pjesërisht, në cilësinë e ulët të një pjese të madhe të stafit pedagogjik që punësojnë dhe të mësimdhënies që ofrojnë disa universitete private. Sidoqoftë, unë nuk e shoh sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri si një dichotomy, pra, si një sistem në të cilin universitetet publike janë më të mirat, ndërsa ato private janë patjetër të dobët. Cilësia e kërkimit shkencor dhe e mësimdhënies në universitete nuk varet nga fakti se kush investon për to-shteti apo sipërmarrja private-por nga fakti se sa, çfarë dhe për çqëllime investohet në to. Nga pikëpamja e kapitalit shoqëror që ato prodhojnë, unë nuk shoh asnjë dallim esencial midis një universiteti publik të dobët, në një prej rretheve të vendit, dhe një universiteti privat po ashtu të dobët; ashtu sikurse nuk dyshoj aspak në faktin që cilësia e kërkimit shkencor dhe e mësimdhënies në një universitet privat shumë të mirë (siç është Universiteti Europian i Tiranës), është në po atë nivel, si edhe në universitetet publike më të mira, madje në disiplina dhe fusha të veçanta mund të jetë edhe më e lartë.
Nëse fëmijët e vegjël mund të marrin përkujdesje fizike, shëndetësore, emocionale, shpirtërore dhe arsim parashkollor në çerdhe e në kopshte private, nëse nxënësit (në periudhën më të rëndësishme të formimit të tyre) mund të marrin arsim fillor, nëntëvjeçar apo të mesëm në shkolla private të këtyre niveleve, a nuk është veçse e logjikshme që, kur vjen koha që të rinjtë të marrin arsim universitar dhe pasuniversitar, ata të kenë të drejtë dhe realisht të mund të zgjedhin të studiojnë në universitete private? Si mund të jemi a priori skeptikë për mundësitë apo për dobinë që ofron sektori privat në arsimin e lartë, ose, akoma, më keq, ta shohim atë thjesht si një sipërmarrje fitimprurëse? Çlogjikë është ajo që, ndërsa përkujdesjen dhe arsimimin e fëmijëve dhe të adoleshentëve mund tua besojmë institucioneve private, që ndërsa përkujdesjen për shëndetin tonë dhe kurimin e sëmundjeve tona fizike mund tua besojmë institucioneve shëndetësore private, që ndërsa informimin tonë të përditshëm mund ta marrim nga gazetat, stacionet televizive dhe ato radiofonike pothuajse tërësisht private, që ndërsa argëtimin dhe mënyrat rekreative të realizimit tonë kulturor dhe shpirtëror mund të na i ofrojnë institucione dhe sipërmarrje private (dhe të gjitha këto janë dhe dëshirojmë të jenë sipërmarrje fitimprurëse), arsimin e lartë dhe edukimin shkencor të brezit të ri të mendojnë se mund ta ofrojnë më mirë vetëm universitetet shtetërore?!
Unë besoj se një pjesë e madhe e atyre njerëzve, intelektualë ose jo të tillë, që janë skeptikë, madje edhe kritikë ndaj universiteteve private in toto, pa bërë dallim midis tyre, duke vlerësuar cilësinë dhe meritat e secilit, vetë fëmijët e tyre i çojnë në kopshte dhe shkolla fillore private (ata më të rinjtë) dhe, një pjesë e tyre, (ata në moshë të mesme), në mos i kanë dërguar jashtë shtetit, ua kanë besuar arsimimin e vajzave dhe të djemve të tyre pedagogëve të universiteteve private më të mira. Në UET ka shumë syresh.
Kolegu dhe miku im i nderuar Henri Çili, në një Letër të Hapur për disa nga miqtë dhe kolegët e tij gazetarë, me të drejtë vinte në dukje se sektori privat dhe joshtetëror i arsimit të lartë ka po atë rationale të ekzistojë dhe të jetë i suksesshëm si edhe mediat apo sipërmarrjet private në çdo sektor të ekonomisë apo të jetës shoqërore. Ideja e një shoqërie të hapur dhe e një tregu të lirë nuk është përjashtuese, as kufizuese. Nuk mund të ketë shoqëri të hapur dhe as treg të lirë nëse disa sfera të aktivitetit shoqëror dhe disa forma të jetës së asociuar i lihen në dorë sipërmarrjes së lirë private (prodhimi dhe shpërndarja e të mirave materiale, sektori financiar dhe ai bankar, një pjesë e sektorit të shërbimeve jetësore dhe thuajse tërësisht sektori i sigurimeve, një pjesë e sistemit të kujdesit shëndetësor për popullsinë, thuajse i tërë sektori i turizmit dhe sistemi i prodhimit kulturor), ndërsa arsimi i lartë të kontrollohet dhe drejtohet nga shteti.
Avantazhet e sektorit privat
Sektori privat i arsimit të lartë në Shqipëri ofron dhe, në disa raste, ka sjellë realisht më shumë risi, më shumë mundësi, më shumë dinamizëm, më shumë kreativitet, më shumë konkurrencë vlerash, metoda mësimdhënieje, shprehi e praktika të reja, kërkesë më të madhe për cilësi dhe standarde më të larta në mësimdhënie dhe në veprimtarinë kërkimore, përvoja të përparuara, të adoptuara nga universitete perëndimore, një infrastrukturë dhe kushte materiale pune e mësimdhënieje përgjithësisht shumë më të mira sesa ato që ofrojnë shumica e universiteteve publike, një liri akademike substancialisht më të madhe për stafet pedagogjike (të cilët paga më e lartë nuk i bën domosdo servilë të punëdhënësve të tyre dhe gojëmbyllur ndaj problemeve të mëdha të shoqërisë) dhe, pa dyshim, një trajtim financiar më dinjitoz për to.
Pa dyshim që jo të gjitha shkollat e larta private, të krijuara si kërpudhat pas shiut në këto 5-6 vitet e fundit, kanë qenë ose

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›