E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri elitare, por nuk e sheh kurrkush

Kombëtarja e Shqipërisë ka fituar 2-1 në miqësoren e djeshme të luajtur në Madrid ndaj Katarit. Për kuqezinjtë shënuan Bakaj dhe Bogdani me penallti dhe skuadra luajti me shirit të zi në krah, në kujtim të viktimave të aksidentit në Himarë. Kuqezinjtë sigluan fitoren e parë nën drejtimin e Xhani de Biazit, duke mundur një skuadër si Katari relativisht në letër,  por siç u vërejt edhe në fushën e lojës. Ndeshja, e cila u luajt në stadiumin e Rajo Valekanos, është ndjekur nga shumë pak tifozë, aq sa këta të fundit numëroheshin me gishta (sipas informacioneve nuk kanë qenë më shumë se 50 persona, nga të cilët edhe disa menaxherë që synonin të zbulonin ndonjë talent). De Biazi ka hedhur nga fillimi një formacion sulmues 4-4-2 me dyshen Cana-Mavraj, për herë të parë në qendër të mbrojtjes dhe me Veliun në të majtë. Në mesfushë ka luajtur si titullar Sabjen Lilaj, Ervin Bulku, Elis Bakaj dhe Emiljano Vila, ndërsa në sulm Çani me Bogdanin. Pjesa e parë është karakterizuar nga një luftë e fortë sportive, me dyluftime të shumta në mesfushë, ndërkohë që më kërkues janë shfaqur kuqezinjtë, të cilët kanë rrezikuar seriozisht dy herë portën e Katarit. Gjithsesi, pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës që në minutën e parë ka qenë Elis Bakaj, që kalon në avantazh skuadrën tonë, pas një sulmi me shumë pasime nga ana e tanëve. Tri minuta më vonë, është Bulku që hyn në zonë dhe pengohet nga një mbrojtës dhe për arbitrin është penallti. Gjuan Bogdani dhe 2-0. Duket sikur Shqipëria do ta ketë të lehtë fitoren, por tri minuta më vonë aziatikët shkurtojnë diferencën me anë të Husein Mali. Në minutat e mëpasshme, loja u bë edhe më e plogësht, kjo për shkak të zëvendësimeve të shumta që aplikuan të dy trajnerët. Deri në vërshëllimën e fundit vlen të përmendet dëmtimi i Lilajt, i cili u zëvendësua më pas nga Zeqiri. Pas ndeshjes, trajneri De Biazi kritikoi lojën sulmuese të skuadrës së tij, duke vënë theksin te rastet e humbura. Bëmë një lojë të mirë, por humbëm shumë raste. Duhet të kishim fituar me më shumë gola, duke iu referuar rasteve të shumta që patëm. Gjithsesi, jam i kënaqur për mënyrën se si e përballuam kundërshtarin dhe që në ndeshjen tjetër ndaj Iranit do të bëj disa lëvizje, me qëllim që të shikoj reagimin e lojtarëve, ka pohuar tekniku italian i Shqipërisë. Kjo ishte ndeshja e dytë e trajnerit De Biazi në krye të ekipit tonë, pas miqësores së fund-shkurtit në Tbilisi, ku humbëm me rezultatin 2-1 ndaj Gjeorgjisë. Ndërkohë, më 27 maj, në Stamboll do luhet miqësorja tjetër e radhës me Iranin, në stadiumin e Beshiktashit.

Skeda
Shqipëri-Katar 2-1

Golat: Bakaj 46′, Bogdani 50 (p)/ Mali 53
Shqipëria: Shehi, Dallku, Cana, Mavraj, Veliu, Vila, Bulku, S.Lilaj, Bakaj, Çani, Bogdani. Trajner: Xhani de Biazi
U aktivizuan: Zeqiri, Lila, Agolli, Hyka, Sadiku.
Katari: Kuintana, Amaral Zhunior, Avuley Kuaje, Abdulhamed Burhan, Lami Mohd, Abdulla A.Al Ganim, Ibrahim Al-Kfanham, Abdulla Sidiq, Ali Alhmad, Ahmed Mali, Ali Rahmati. Trajner: Paulo Autuori.

Transmetimi
Ndeshja e djeshme Shqipëri-Katar nuk u transmetua nga asnjë televizion si shqiptar, por edhe aziatik. Madje edhe në uebfaqet e ndryshme të internetit ishte e pamundur të shihje live këtë takim. Fakti se kompania që menaxhoi transmetimin pat kërkuar më shumë se 30 mijë euro, bëri që paketa sportive me pagesë Supersport të mos e transmetonte këtë takim. Nuk dihet nëse e njëjta gjë do ndodhë edhe me takimin ndaj Iranit.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›