Një spital elitar për shëndetin e kafshëve, kryeministri Rama: Krenar që ndodhet në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka vizituar këtë të mërkurë (28 maj) “Vet Hospital”, spitalin e parë veterinar në vend dhe ndër më të mëdhenjtë në Europë për kujdesin ndaj kafshëve.
Kreu i qeverisë ndërsa përgëzoi punën dhe investimin e bërë në këtë spital, u shpreh krenar që “Vet Hospital” ndodhet në Tiranë.
“Është destinacion shumë prekës dhe frymëzues. Është një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor. Është një destinacion arkitekture dhe në fund fare është destinacion sipërmarrje dhe optimizmi për jetën dhe për të ardhmen.
Mund të bëhet një film i tërë për këtë sipërmarrje. Është emocionuese të shohësh të gjithë rrugëtimin e brendshëm dhe intinerarin e përkujdesjes për këto kafshë. Është krenari që ky spital veterinar gjendet në Shqipëri.
Jam i bindur se nuk është rastësisht në Shqipëri ky spital veterinar që është më i madhi në Ballkan dhe duhet të jetë më i bukuri në botë për këtë shërbim”, tha Rama.
“Vet Hospital” është i pajisur me protokollet dhe aparaturat më bashkëkohore, duke përfshirë radiografi digjitale, sallë operacioni, shërbim urgjence 24/7, stomatologji, reanimacion, dhe të gjitha shërbimet e nevojshme për të garantuar trajtimin më të mirë shëndetësor për kafshët.