E Hënë, 2 Nëntor 2026

Neutralitet, mosanëtarësim në NATO dhe heqjen e sanksioneve! Reuters zbulon kushtet e Putin për t’i dhënë fund luftës

Reuters zbulon kushtet e Presidentit Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që udhëheqësit perëndimorë të zotohen me shkrim për të ndaluar zgjerimin e NATO-s në lindje dhe për të hequr një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë, sipas tre burimeve ruse me njohuri për negociatat.

Burimet ruse të cituara bëjnë të ditur se kërkohet që Ukraina të jetë neutrale, të hiqen disa sanksione perëndimore, një zgjidhje të çështjes së aseteve sovrane ruse të ngrira në Perëndim dhe mbrojtje për folësit rusë në Ukrainë.

 “Putini është gati të bëjë paqe, por jo me çdo çmim”, tha një burim i lartë rus me njohuri mbi mendimin e nivelit të lartë të Kremlinit, i cili foli në kushte anonimiteti.

Sipas agjencisë së lajmeve, Putin kërkon neutralitetin e Ukrainës, mosanëtarësimin në NATO dhe heqjen graduale të një pjesë të konsiderueshme të sanksioneve.

Ai kërkon kështu që të përjashtohet mundësia që republikat e tjera ish-sovjetike, si Gjeorgjia dhe Moldavia të mos bëhen anëtare të Aleancës Ushtarake.

Ndër të tjera, presidenti rus kërkon garanci institucionale për mbrojtjen e folësve rusë në Ukrainë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë vazhdimisht se dëshiron t’i japë fund konfliktit më vdekjeprurës evropian që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka treguar zhgënjim në rritje me Putinin ditët e fundit, duke paralajmëruar të martën se udhëheqësi rus po “luan me zjarrin” duke refuzuar të angazhohet në bisedime për armëpushim me Kievin, ndërsa forcat e tij kanë shënuar përparime në fushën e betejës.

Pasi foli me Trumpin për më shumë se dy orë javën e kaluar, Putini tha se kishte rënë dakord të punonte me Ukrainën për një memorandum që do të përcaktonte konturet e një marrëveshjeje paqeje, duke përfshirë edhe kohën e një armëpushimi. Rusia thotë se aktualisht po harton versionin e saj të memorandumit dhe nuk mund të vlerësojë se sa kohë do të zgjasë kjo.

Burimi i parë tha se, nëse Putini e kupton se nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje paqeje sipas kushteve të tij, ai do të përpiqet t’u tregojë ukrainasve dhe evropianëve me anë të fitoreve ushtarake se “paqja nesër do të jetë edhe më e dhimbshme”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›