E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një takim për artin bashkëkohor në Shqipëri

Konferenca
Diskutime, reflektime, analiza e vetëkritikë për të ardhmen

“Gjendja e artit bashkëkohor në Shqipëri: zhvillimet e ardhshme” ka qenë tema e diskutimit mes përfaqësuesve të institucioneve kulturore, kuratorëve të artit, artistëve, kritikëve dhe përfaqësuesve të mediave dje në mbrëmje, në një nga sallat e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. E organizuar nga “Art Kontakt”, konferenca u zhvillua në kuadrin e mbylljes së konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2009”. Ideja fillestare e saj është që të shërbejë si një reflektim, analizë dhe vetëkritikë për gjendjen e artit bashkëkohor në Shqipëri, në mënyrë që të thellohet debati në lidhje me këtë çështje. Argumentet e trajtuara gjatë takimit ishin “Ekspozita Onufri, historia dhe momentet kyçe. Roli i kuratorit”, “Kush e vlerëson artin bashkëkohor në Shqipëri dhe për çfarë qëllimesh: Artisti dhe shoqëria”, “Arti Shqiptar në panoramën artistike europiane”, “Prodhimi dhe promovimi i artit bashkëkohor si faktor zhvillimi territorial”, si dhe “Sponsorizimet: financimet alternative”, duke qenë se një tjetër nga qëllimet e kësaj konference kishte të bënte me ngritjen e debatit në nivel kombëtar rreth raportit art/ekonomi. Deri para pak vitesh, lidhja midis ekonomisë dhe arteve shkaktonte skandal etik në ambientet akademike, shpesh të mbyllura në guaskën e dijeve të tyre. Sot ajo konsiderohet si territor i zbuluar dhe i pasur me mësime, si pozitive ashtu dhe negative. Këtij qëllimi i shërben njohja e rolit të arteve në shoqërinë civile, si dhe gjetja e baraspeshave politike në këto fusha, ndikimi i ngjarjeve artistike në jetën ekonomike të një qyteti.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›