E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetër tragjedi në fshatin e tmerreve

Breshëri plumbash mbi dashnorin e gruas dhe dy vëllezërit e tij. Shpëton gjallë i vogli
I njëjti fshat, e njëjta familje, i njëjti motiv, një tjetër tragjedi. Dy vëllezër u vranë në mes të fshatit nga një breshëri automatiku, ndërsa vëllai i tretë u plagos rëndë. Janë djemtë e Liljana Mullirit, gruas monstër, e cila nëntorin e vitit 2005, në një ditë të acartë si e djeshmja, u arrestua për vrasjen e një fëmije 7 vjeç. Nëna vrau me gjakftohtësi nipin e dashnorit të saj më të ri. Dje, fqinji vrau djemtë e saj, sepse njëri prej tyre ishte dashnori i gruas së tij (10 vjet më e madhe). Dikush në fshat tha se ishte dora e Zotit, shpagimi për krimin monstruoz të nënës... Por krimi është i tmerrshëm, i pajustifikueshëm nga fjala “nder”, madje as nga fjala “hakmarrje”.
Masakra ndodhi dje, rreth orës 14:00, në sheshin kryesor të fshatit Vidohovë të Devollit, në afërsi me kufirin grek. Xhiljan dhe Taulant Mulliri mbetën të vdekur në vend, ndërsa vëllai i vogël i tyre mbërriti me frymë në spital, por me pak shpresa për të mbijetuar.
Ishte kohë dreke, kur me një kallashnikov në dorë, Besim Karaj, 45 vjeç nga Thumana e Krujës, i martuar në Vidohovë, doli nga shtëpia e tij majë një kodre. Nga lart ai shqoi që vëllezërit Mulliri po afroheshin në lokalin e tyre. Ai zbriti i vendosur dhe me armën e mbushur iu drejtua njërit prej vëllezërve, i cili ishte dashnori i gruas së tij. Shënjestra e Besimit ishte Taulanti 23 vjeç. Kishte vendosur ta vriste në mes të fshatit në sy edhe të bashkëfshatarëve të tjerë, për të treguar se më në fund kishte vënë në vend nderin. Besimi e qëlloi fillimisht në këmbë, që 23-vjeçari të mos kishte mundësi të lëvizte. Dy vëllezërit e tjerë i dolën përpara: “Aman, mos na e vrit vëllain!” Por tentativa për të mbrojtur vëllain i ka kushtuar jetën djalit të madh të familjes Mulliri, Xhiljanit 28 vjeç. Besim Karaj e zgjati breshërinë e kallashnikovit deri sa i pa të dy vëllezërit të shtrirë përtokë. Por nuk mbaroi me kaq. Burri që nuk kishte lëvizur as gishtin kur kishte gjetur të shoqen duke bërë seks me Taulantin, tani kishte shpërthyer e nuk mbahej. Ai shtiu disa plumba edhe në drejtim të Erli Mullirit, 18-vjeçarit që kishte nisur të vraponte për të shpëtuar kokën. Besimi donte ta mbaronte këtë punë njëherë e mirë, të mos linte gjallë asnjë që të mund të hakmerrej. Si e pa edhe më të voglin e tre vëllezërve të shtrirë, e uli armën, por nuk lëvizi nga sheshi. Kishte vënë nderin në vend. Vetëm pasi qëndroi një copë herë pranë kufomave, Besimi lëvizi nga vendi. Policia ishte rrugës.
Furgonëve të policisë iu deshën më shumë se një orë për të mbërritur në fshat. Besimi e kishte llogaritur edhe këtë. E dinte sa kohë duhej për të përshkruar rrugën malore në këtë mot të acartë. Kur njerëzit me uniforma mbërritën në sheshin e fshatit, Besimi i ishte afruar kufirit që ndodhet në derë të fshatit.
Identifikimi i autorit nuk ishte proces i vështirë, sepse dëshmitarët okularë ishin shumë, por kapja e tij ishte pothuajse mision i pamundur. Një grup policësh rrethoi menjëherë shtëpinë e Besim Karajat, por ai kishte ikur prej disa minutash, pasi kishte marrë çka i duhej për t’u arratisur në fshatin përtej, në Greqi, ku jeton e motra.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›