E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit burg për bullgarin

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda e ka dënuar sot me një vit burgim, shtetasin bullgar, Maragarit Matchev, 48-vjeç, i cili në qendër të Prishtinës kishte tentuar të vjedhë para nga një bankomat.

Aktgjykimi është shpallur sot ndërsa bullgarit i janë konfiskuar të gjitha provat dhe i njëjti është obliguar të paguaj dëmin e shkaktuar në bankomatë.

Arrestimi i tij pati ndodhur me 5 dhjetor të vitit 2012 kur Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, kishte zhvilluar një operacion policor, nën dyshimin e bazuar për prodhim, posedim dhe tentativë të paautorizuar e përcaktuar me ligjin për parandalimin e krimeve kibernetike (neni 13).

Maragarit Matchev kishte vendosur pajisje në një bankomat i cili gjendet në Prishtinë, pajisjet të cilat kishin të bëjnë me vjedhjen e të dhënave bankare të klientëve me qëllim klonimin e kartelave bankare dhe përfitim material.

Ai ishte kapur në flagrancë nga hetuesit, gjatë hjekjes së pajisjeve të vendosura në bankomat, të cilat më pas janë konfiskuar nga Policia, duke përfshirë edhe automjetin e tij i cili ishte përdorur në atë rast.

Në vazhdën e hetimeve të këtij rasti, disa ditë më vonë ishte arritur të identifikohet edhe vendqëndrimi i bullgarit (një motel në Prishtinë), ku pas marrjes së urdhëresës për kontroll të dhomës, të cilën i dyshuari e kishte prenotuar për qëndrim njëjavor, është kryer edhe kontrolli i dhomës.

Gjatë kontrollit, bullgarit i ishin gjetur prova të vlefshme që dëshmonin se i njëjti është kryer i veprës. Atij i ishin konfiskuar: 5 kamera të modifikuara (të punuara për vjedhjen e PIN kodeve), 4 SKIMMER (pajisje që përdoren për vjedhjen e të dhënave bankare të klientëve), 1 kompjuter llaptop (i përdorur për nxjerrjen e të dhënave nga skimerët) 1 hard disk i jashtëm, 2 telefona mobil, elemente përcjellëse speciale që gjithashtu përdoren së bashku me provat e lartcekura./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›