E Diel, 1 Nëntor 2026

Një zbulim i madh arkeologjik

Një frizë me përmasa realisht shumë të mëdha, që kap parametrat 8 metra me 2 metra, e që përshkruan figura humane në një vendosje mitologjike, të cilat mendohen të jenë sundues të hyjnizuar, u zbulua në korrik të këtij viti në themelet e varrosura të një piramide drejtkëndore
në Holmul në Guatemala. 

Arkeologu i specializuar për qytetërimin Maja, Francisco Estrada-Belli dhe ekipi i tij ishin duke gërmuar në një tunel, që ishte lënë hapur nga plaçkitësit, kur ata ndeshën një frizë. "Plaçkitësit i kishin ardhur afër, por për fat se kishin parë dot", tha Estrada-Belli për median.
Sipas Estrada-Belli, friza është një nga shembujt më të mirë të llojit ruajtur deri më sot. "Është e ruajtur gati në 95%. Ka vetëm një kënd që nuk është i ruajtur mirë për shkak se ishte shumë afër me sipërfaqen, por pjesës tjetër nuk i mungon asgjë", tha Estrada-Belli, që është një studiues i anëtarësuar me universitetin e Tulan, Universitetin e Bostonit dhe Muzeumin amerikan të Historisë së Natyrës dhe që është po ashtu edhe një nga eksploratorët e National Geographic. Duhet sqaruar se gërmimet e tij në Holmul u mbështetën nga Shoqata Waitt Grants Program, e National Geographic. 

Arkeologu, i specializuar për qytetërimin e Majave, Marcello Canuto po ashtu e ka cilësuar frizën si "të ruajtur mrekullisht dhe këndshëm."
"Ne shpesh kemi ëndërruar në gjetjen e gjërave të ruajtura mirë dhe Françisko e bëri këtë", tha Canuto, i cili është drejtor i Institutit të Kërkimeve Middle American në Universitetin e Tulan dhe në Universitetin e New Orleans dhe që s'është i përfshirë në projekt.
Për shembull, për të kuptuar vlerën e këtij monumenti, kujtojmë se edhe pse një pjesë e pikturave është zhdukur, gjurmët e ngjyrave të kuqe, blusë, të gjelbrës dhe të verdhës janë ende të dukshme mbi frizë. 

"Kjo mund t'i japë idenë publikut sesa të ndërlikuar dhe të zbukuruara kanë qenë këto site që kemi gërmuar në këto kohë, në kohën e apogjeut të tyre", thotë Canuto. "Këto site duhet të kenë qenë një lloj feste për sytë që i kanë krijuar dhe i shijuar." 

David Stuart, një ekspert i hieroglifeve Maja në Universitetin e Teksait në Austin, përmend se arkeologët mendojnë se shumica e tempujve të Majave ka të ngjarë të ishin të zbukuruara me një lloj të ngjashëm disajni. 

Seksioni i tempullit në Holmul, ku është gjendur friza daton në vitin 590 pas Krishtit dhe korrespondon me periudhën klasike të Majave, një periudhë e cila përcaktohet nga fuqia që buronte prej luftës mes dy dinastive kryesore të Majave: Tikal dhe Kanul. 

Dy mbretëritë u përleshën shpesh me njëra-tjetrën për burime dhe kontrollin e qyteteve shtete më të vogla të Majave. Deri tani ka qenë e paqartë se cila dinasti e Holmul i detyrohet besnikëria e saj, por në një përshkrim në frizën e sapogjetur zbulohet se tempulli është porositur nga Ajëosaj, sunduesi i qytetit shtet të Naranjo, të cilin arkeologët e njohin nga zbulimet e tjera dhe që ishte një qytet vasal i mbretërisë së Kanul.
"Ne tani e dimë se Holmul ishte nën influencën e dinastisë së Kanul", thotë Canuto. 

Më 2012, ekipi i Canuto arriti të gjente dhe të deshifronte një seri hieroglifesh që përshkruanin panele në një qytet tjetër të Majave me të njëjtën madhësi si Holmul, të quajtur La Corona, e që ishte po ashtu nën patronazhin e mbretërisë së Kanul. 
(e.m/Milosao/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›