“Një zë në dispozicion të të moshuarve”, nisma e re për mbështetjen e moshës së tretë përmes linjës së këshillimit

“Kam ditë që nuk flas me njeri”, “Kam nevojë për dikë të më bëjë pazarin”, apo “Më ndihmon dot me një aplikim për pasaportë?” janë disa prej shqetësimeve dhe nevojave që të moshuarit përcjellin përmes një shërbimi të posaçëm këshillimi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion Linjën e Këshillimit për të Moshuarit, një shërbim falas, i dedikuar për t’i dëgjuar, informuar dhe orientuar të moshuarit, por edhe familjarët e tyre.
Përmes kësaj linje, të moshuarit mund të marrin këshillim dhe mbështetje për çështje të ndryshme që lidhen me jetën e përditshme, shërbimet që u nevojiten apo problematika të tjera me të cilat përballen.
Shërbimi synon të jetë një pikë kontakti për të moshuarit që kanë nevojë të flasin me dikë, të marrin informacion apo të orientohen drejt shërbimit të duhur.
“Një zë në dispozicion të të moshuarve”, është mesazhi i kësaj nisme, e cila synon t’u ofrojë atyre mbështetje dhe këshillim në momentet kur kanë më shumë nevojë.
/rtsh.al/