E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njëqind vjet nga fundosja e Titanikut

Një ceremoni përkujtimore është zhvilluar në një anije në Atlantikun e Veriut, në orët e para të së dielës, për 100 vjetorin e mbytjes së anijes gjigande “Titanic”. Me tingujt e ëmbël të harpës , në një sallë të mbushur me një auditor të vogël, në brodin e anijes Azamara Journey, ceremonia zuri fill që pas kalimit të mesnatës, ndërsa më pas janë mbajtur edhe disa fjalime përshëndetëse. "Ne kemi ardhur këtu me shpirtin e kujtesës për të nderuar jetën e 1,503 burrave, grave dhe fëmijëve, që humbën në ujin e ngrirë të Atlantikut si sot e 100 vjet më parë- tha drejtori i anijes Cruise, Tony Markey. 100-vjetori i Titanikut u përkujtua në të gjithë botën, përfshi edhe kantierin detar ku u ndërtua transoqeaniku në Belfast.
Las Vegasi, San Diego, Hjuston, Singapori, Irlanda dhe Britania janë midis vendeve ku 100-vjetori ka mbledhur me mijëra persona, të cilët kanë vendosur lule dhe janë lutur, në muzetë dedikuar “Titanikut”.
Dy javë më parë, në Belfast, Irlandën e Veriut, u hap edhe muzeu më i madh në botë përkushtuar anijes, i cili rikrijoi disa prej ambienteve më të famshme siç ishin realisht në “Titanik”. Muzeu që kushtoi 150 milionë dollarë për t`u ndërtuar, ka tërhequr në ditët pas hapjes së tij plot 45 mijë vizitorë.
“Titaniku” u përplas me një akullnajë në mbrëmjen e 14 prillit, dhe u fundos disa orë më vonë, në atë që ishte udhëtimi i parë nga Britania, drejt SHBA-së. Historia e tij është bërë e njohur botërisht, nëpërmjet filmave e dokumentarëve të shumtë, që e kanë shndërruar tragjedinë e transoqeanikut në një prej më të njohurave në histori.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›