E Diel, 1 Nëntor 2026

Njerëzit vdesin ngaqë nuk mundin ta shprehin bukurinë

Elsa Demo

Poemën Epifania Shpëtim Kelmendi e përfundoi në krye të një dekade (1999-2011). Në qarkullim u hodh në 300 kopje (Zenit, 2011, 80 f.). Epifania përbëhet nga 24 këngë, me varg të gjatë e që mund të lexohet si një meditim i autorit mbi gjendjen dhe natyrën e sendeve, mbi origjinën dhe trajtën e punëve shpirtërore të njeriut, mbi natyrën e forcat e saj ndikuese. Tri sfera nën dritën e meditimit mbi hyjnoren, mbi Zotin. Citohet profeti Muhamed që është sjellë në hyrje të poemës: Zoti ka thesare nën fronin e tij dhe çelësat e këtyne thesareve ndodhen në gjuhen e poetëve. Prej këtej, autori ngre dy çështje për diskutim: vetëdija njerëzore për natyrën e fesë dhe vetëdija e poetit për natyrën e shkrimit dhe misionin e poezisë.

Para se epifania të njihet si festë katolike e ujit të bekuar (më 6 janar), festë për adhurimin e Mbretërve Magë, kultura pagane identifikon me të fanitjen, perceptimin e gjendjeve të epërme të realitetit.

Shpëtim Kelmendi sjell në mënyrë simbolike, një version letrar në dialektin gegë të epifanisë. Këngë pas kënge (24, aq sa kanë këngë poemat homerike), plus këngët Sufi si prolog dhe Lind si epilog, i jepen lexuesit përndritje të një intuite e perceptimi personal të botës, e në tërësi ato bëjnë një koleksion fanitjesh të historisë njerëzore: mbi vullnetin e brishtë të njeriut, mbi zhvendosjen ranore të rëndësisë së gjërave, mbi dhimbjen për gjërat e panjohura që na blerojnë vetëdijen, mbi lirinë që shfaqet e zhduket me veshje të reja, mbi universin që tkurret e rritet nga mendimi i Zotit, mbi fundin e sigurisë së qenies dhe qëllimeve të saj, mbi dinjitetin e nëpërkëmbur të sendeve që kanë frymëmarrje, mbi vetëdijen e Zotit që poetit i fle në dhimbje.

Libri është i pajisur me grafika të Gjovalin Pacit.

Mbrëmjen e të shtunës Shpëtim Kelmendi bëri një prezantim të Epifanisë në Galerinë Zenit ku të ftuarit lexuan këngë të pëlqyera. Në mbyllje dhe disa poezi nga Giuseppe Ungaretti, përkthime të Kelmendit.

 

Çfarë e ka kushtëzuar shkrimin e një poeme në dhjetë vjet?

Unë kam ndenj në përgjim të gjendjeve sipërore të cilat nuk janë të zakonshme në jetën e njeriut. Kam pasë qëllim me u shprehë, me përcjellë disa emocione të nalta që kanë natyrë hyjnore. Dhe kur e pashë se ishte ndërtu struktura e duhun, miqtë e mi më thanë me ba libër dhe unë e bana. Është hera e parë që unë shkruj pa ndonji qëllim të përcaktum. Dhe vë re se kur bëjmë diçka pa ambicie – sepse ambicia na ha të gjallë, na shqyn zemrën ne, – dhe pa tendencë me u vu në krahasim me dikënd, atëhere arrijmë të jemi të vërtetë. Pra, unë kam përgju gjendje të epërme dhe këto gjendje kanë ardhë kur kanë dashtë ato, jo kur kam dashtë unë.

Pse u shfaqët kundër leximit të poezisë në publik nga autori?

E thashë këtë ngaqë doja thjesht me justifiku faktin që nuk jam lexues dhe aq i mirë. Por sido që unë ta lexoj, ajo ka për të qenë e bukur sepse po e lexoj unë që jam autori, e edhe po e masakrova, masakroj gjënë time, pa i bërë dëm askujt.

Tekefundit, ekziston letërsia thoni ju dhe mohoni autorin, si edhe në rastin e Epifanisë.

Nuk jam autori për sa kohë i kam përgju ato gjendje të epërme dhe nuk i kam arrestu. Me dëshirën time do dojsha që ta komandoj vetë këtë gjendje, por nuk kam mujt me e ba. Fakti se kam qenë në përgjim do të thotë se kam pritë që ato të vijnë vetë dhe kjo e mohon autorësinë teme. Në momentin që e konsiderojmë veten autorë, do të thotë që jemi ne që e kemi shkru, dhe nëse jemi ne që e kemi shkru, ne e dimë se deri ku shkon aftësia njerëzore. Nuk është se na çon shumë larg. Kur flas për Danten apo për Xheladin Rumiun, kam parasysh se ata nuk e kanë kërku poezinë, është poezia që i ka kërku ata, i ka persekutu ata. Ekzistojnë dy lloj poetësh: poetë që e ndjekin poezinë dhe poetë që ndiqen nga poezia, por më të mirët janë ata që i gjen poezia. Për shembull, mundet me ju përmend rastin e Frederik Rreshpjes apo të Ali Asllanit, të dy poetë të shkëlqyer në natyrën e vet. Poezia i ka gjetë ata. Nuk kanë qenë tipa që i kanë dhanë rëndësi të posaçme kësaj pune me e përdor si dhunë ndaj tjerëve, me tregu se janë të zotë. Thjesht poezia i ka gjetë dhe ata kanë shkru.

Vetëdija e njeriut për gjendjet e larta, deri në çmasë përbën subjekt për religjionin?

Për mua është shumë i rëndësishëm jo religjionet, por religjioni gjithpërfshirës, një lloj dijeje hyjnore që i përfshin të gjitha religjionet të cilat janë segmente që ne vetë i kemi kriju. Në fakt religjionet përkojnë në disa çështje thelbësore. Taoizmi, zen budizmi, budizmi, krishterimi e islami, kanë nji zinxhir dijesh të pashkëputshme, një fije e artë i lidh këto.

Për mu religjioni është frikë dhe adhurim ndaj Zotit.

Kur vjen puna te dija, unë e kam fjalën për një lloj dijeje për të cilën flet Platoni: Kur isha i pakrijuar, i dija të gjitha. Kur u krijova, pra hyra në formë, i harrova. Tani po mundohem ti rikujtoj. Kjo do të thotë me rikujtu dijen parake, dijen zanafillore, dijen e atdheut. Atdheu në të këtë rast është hyjniteti, vendi nga kemi ardhë. Ka njerëz që arrijnë me e rikujtu këtë lloj dije. Dhe këta, mandej, janë njerëzit që i prijnë shpirtërisht njerëzimit.

Dijen femërore ju e pohoni si të llojit të veçantë. Mund të shpjegoheni?

Femra ka dije shpirtërore të jashtëzakonshme, ka lidhje hyjnore të posaçme dhe jam i sigurt se njerëzimi ka shku kështu siç ka shku, vetëm pse e ka nda përgjysëm trupin e vet. Femra përban gjysmën e njerëzimit, mbase më shumë. Gjithçka që ne shohim sot është produkt i vendimeve gjysmake të njerëzimit, sepse femra nuk është llogarit kurrë. Njerëzimi duhet ta ridimensionojë figurën femërore thjesht sepse i duhet atij vetë. Le ta harrojmë bujarinë. Ajo çka pjesa mashkullore mundet më e ba për bujari është diçka pa vlerë, sepse siç e jep, mundet dhe me e marrë. Më bën përshtypje fakti që shumë femra që mundohen me mbrojtë vlerat e veta, nuk thonë që duhet më e fitu vetë femra atë që është e rëndësishme, me e fitu vetë, me fuqinë e vet.

Njerëzit vdesin vetëm ngaqë nuk munden ta shprehin të bukurën. Këtë efekt i njihni shkrimit ju.

Pothuajse tanë njerëzit ndijnë fuqishëm, përjetojnë gjëra interesante që po të mos artikulohen, ato vazhdojnë me qenë të fjetura brenda nesh dhe pothuajse të vdekuna. Kur ne i artikulojmë ato vendosen para nesh dhe ne i besojmë. Ne nuk i besojmë njëqind për qind kur janë përbrenda. Po kur i shkrujmë, kur të tjerët i shohin, kur ne i shohim, është si me pa veten në pasqyrë. Pra nuk është se unë mora dije të re, por besova dijen që kisha. Kjo është e rëndësishme. Në momentin që i japim zë një ideje apo një mendimi, atëhere ne e besojmë dhe e konsiderojmë pasuri. Deri në atë moment që fjala nuk është pagëzu, ne ende nuk besojmë tek ajo. Unë e kam pagëzu fjalën dhe tash besoj te ajo që kam shkru.

Çfarë të mirash ka kur kjo falë pagëzohet gegënisht?

Në poezi gegënishtja është gati-gati detyrë me u përdor, sepse tu qenë nji dialekt fizarmonikë, mundesh me e trajtu vargun, metrin poetik simbas qejfi, mundesh me përdor forma të shkurtume. Për shembull, në vend të asht unë shkruaj . Në aspektin teknik është fantastike me e përdor gegnishten. Në prozë mundesh mos me e përdor, pamvarësisht se unë e shkruj dhe në prozë. Ajo që mu më vjen vërtet keq asht pse ata që shkrujnë gegënisht shihen si me sy të keq. Unë jam shkrues shumë i mirë i toskërishtes dhe i gëgënishtes. Megjithëse nuk ka një gjuhë të veriut e nji të jugut. Ka nji gjuhë shqipe. Nëse unë zgjedh këtë, e zgjedh se kjo asht gjuha e nanës teme, idioma jeme natyrale, ku unë nuk kam nevojë me u sforcu. Fakti që unë shkruj gegënisht nuk ka të bëjë me nji kauzë të madhe. Unë e shoh si nji gja personale. Ma ndjen kështu, më vjen kështu, e shkruj kështu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›