Njohja e Kosovës nga Iraku, kontribut për stabilitetin në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 49-të për Siguri në Munih, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Irakut, Hoshyar Zebari.
Ministri Hoxhaj pasi njoftoi homologun irakian me progresin e Kosovës në forcimin e shtetësisë, kërkoi që Iraku t’i bashkohet shumicës së shteteve anëtare të OKB-së duke njohur pavarësinë e Kosovës.
Nga ana tjetër, ministri Zebari ka shprehur përkrahjen e shtetit të tij për Kosovën e pavarur, duke vlerësuar lart progresin e arritur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.
“Ne i kemi përcjell zhvillimet brenda Kosovës me vëmendje të madhe. E dimë që shumica e vendeve islame dhe arabe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se ju po bëni një progres të madh në procesin e njohjeve”, ka theksuar Zebari.
Ministri Hoxhaj tha se përmes njohjes së Kosovës, Iraku do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Njohja nga Iraku do të ishte edhe një mirënjohje për dhjetëra mijëra viktima të luftës në Kosovë, që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin e Kosovës”, ka shtuar Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj në fundvitin e kaluar kishte zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Irakut, Hoshyar Zebari, nga i cili kishte kërkuar që Iraku përmes njohjes së Kosovës, të kontribuojë në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih, Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me dhjetëra homologë nga shtete të ndryshme të botës, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka takuar ministra të shteteve anëtare të BE-së, nga të cilët ka kërkuar një dinamikë të re për proceset integruese të Republikës së Kosovës./Indeksonline/